Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, do të vizitojë sot në 3 qershor Prishtinën në kuadër të një turneu rajonal që po zhvillon në vendet e Ballkanit Perëndimor para samitit të ardhshëm mes Bashkimit Evropian dhe rajonit.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Costa do të zhvillojë takime me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, si dhe me drejtues të partive opozitare. Vizita e tij konsiderohet e rëndësishme për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe për diskutimet mbi proceset integruese të rajonit.
Një ditë më parë, Costa qëndroi në Shqipëri, ku u takua me kryeministrin Edi Rama. Në një konferencë të përbashkët për media, ai vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe përgëzoi autoritetet shqiptare për përmbushjen e objektivave të rëndësishme në procesin e negociatave. Costa theksoi se vendet anëtare të BE-së kanë vlerësuar angazhimin e Shqipërisë dhe rezultatet e arritura deri tani.
Megjithatë, ai nënvizoi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimi i institucioneve demokratike dhe garantimi i një sistemi të pavarur gjyqësor mbeten prioritete thelbësore për avancimin e mëtejshëm në procesin e integrimit evropian.
Sipas tij, këto reforma nuk duhet të shihen vetëm si kushte për anëtarësim, por si zgjedhje të rëndësishme për ndërtimin e një shteti më të fortë dhe më demokratik.
Vizita e Costës në Kosovë dhe në vendet e tjera të rajonit vjen në një periudhë kur Bashkimi Evropian po kërkon të intensifikojë bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor dhe të përshpejtojë proceset integruese, duke inkurajuar vazhdimin e reformave dhe forcimin e stabilitetit politik e institucional në rajon.





