Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me 3 vite e 6 muaj burg për ish-shefin e krimeve në Elbasan Leonard Palushi, i akuzuar për korrupsion, teksa dyshohet se i shërbente një personazhi të njohur të botës së krimit, Erjon Alibejt.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i zbritet me 1/3 duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vite e 4 (katër) muaj burgim.
Po kështu i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për një afat kohor 5-vjeçar.
VENDIMI
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Tereza Merkaj (anëtare), më datë 27.09.2023, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 47 akti, datë 11.07.2023 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi/i pandehuri L.P., kundër vendimit nr. 23, datë 11.04.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:
“1. Deklarimin fajtor të të pandehurit L.P. për kryerjen e veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 3 (tre) vite e 6 (muaj) burgim.
2. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, masës së mësipërme të dënimit i zbritet 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri L.P. me 2 (dy) vite e 4 (katër) muaj burgim.
3. Vuajtja e dënimit të të pandehurit L.P. do të fillojë nga dita e arrestimit të tij dhe do të kryet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme.
4. Në zbatim të nenit 35 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të pandehurin L.P., për të ushtruar funksione publike për një afat kohor 5-vjeçar…”
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 23, datë 11.04.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.