Një familje e varfër durrsake i bën thirrje për ndihmë Bashkisë së Durrësit dhe Prefekturës. Shpëtim Koka, kryefamiljari, i cili për 25 vjet me rradhë ka punuar në Kantierin Detar të Durrësit, është invalid. Ai vuan nga zemra, ndërkohë që edhe bashkëshortja e tij prej më shumë se tre vjetësh ka kapur shtratin, pasi është e sëmurë kronike.

Dhurata është 40 vjeçe dhe vjen nga një familje e nderuar durrsake. Ata kanë një vajzë 10 vjeçe, dhe banojnë në një shtëpi të ish pronarëve. Shpëtimi nga invaliditeti merr 15 mijë lekë në muaj. Këto janë të vetmet të ardhura të kësaj familjeje. Në kriteret që Banka Botërore ka vënë për përfitimin e apartamenteve sociale është që vlera e të ardhurave mujore të një familjeje të jetë jo më pak se 45 mijë lekë të reja në muaj. Familja Koka i bën apel të gjitha strukturave shtetërore të ndërhyjnë për të pasur në vëmendje rastin e kësaj familjeje.

“I bëjmë apel kryeministrit Berisha të kthejë vëmendjen nga shtresa jonë, e cila nuk ka lekë për të ngrënë bukë. Nëse do të na nxjerrin nga shtëpia, ne nuk kemi asnjë mundësi ku të fusim kokën”,- shprehet Shpëtim Koka. 

Familja Koka jeton në një apartament, në lagjen nr. 3, rruga “Egnatia”, I cili ëhstë në gjendje të amortizuar. Shpesh nga tavani bien copa suvaje dhe tullash. Për më tepër hyrja shumë e vjetër ku ata jetojnë është pronë e tregtarëve durrsakë, dhe është ndërtuar në vitet ’30. Nëse do vijnë t’i nxjerrin nga shtëpia ata nuk kanë ku të fusin kokën, pasi nuk kanë mundësi të strehohen në një banesë me qira, për shkak të të ardhurave shumë të ulta mujore. Në të njëjtën kohë ata të thonë se nuk mund të tërheqin kredi në bankë, pasi nuk i plotësojnë kushtet e vendosura prej saj.

Bashkëshorti Shpëtim Koka bën me dije se me pensionin e invaliditetit nuk di ç’të bëjë më pare, sepse ilaçet e tij dhe të Dhuratës kushtojnë shtrenjtë. Me të ardhurat shumë të kufizuara ekonomike ku përfshihen vetëm pensioni i invaliditetit prej 13 mijë lekësh dhe asistenca e ofruar nga bashkia prej 3 mijë lekësh në muaj, familja e ka tepër të vështirë përballimin e shpenzimeve mujore. Prej shumë vitesh familja e varfër ka bërë kërkesë për strehim pranë bashkisë së Durrësit, por deri tani kjo kërkesë ka mbetur e parealizuar.

Banka Botërore nëpërmjet një kredie të butë ka realizuar në Durrës prej disa vitesh projektin për ndërtimin e 300 apartamenteve sociale. 125 apartamente kanë përfunduar dhe pritet të shpërndahen ndërsa 175 të tjera janë në fazë ndërtimi. Deri më tani për të përfituar strehim në këto banesa kanë aplikuar rreth 3000 familje, ndërsa numri i të pastrehëve në Durrës është rreth 5500 familje, ku rreth 900 prej tyre janë familje që jetojnë në shtëpitë e ish pronarëve.