Pas renditjes i dyti në garën për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në bashkinë Durrës, ka ardhur reagimi në rrjete sociale i kandidatit të koalicionit të “Shtëpisë së lirisë”, Ardian Muka.
Urbanisti Muka pasi falenderon të gjithë ata që e mbështetën në këtë fushatë për zgjedhjet lokale, ka një premtim për të gjithë për betejën që nuk mbyllet këtu, por do të vazhdojë:
“Duke falenderuar secilin prej jush, them me bindje se votëbesimi juaj nuk do të humbasë kurrë! Siç kam qenë në ballë të përplasjeve më të vështira prej vitesh, ashtu do të vazhdoj që të përballem për të mbrojtur çdo kauzë dhe çdo interes në të mirë të qytetit dhe qytetarëve tanë të dashur.
Sot ne fituam një kauzë shpirtërore dhe morale, kauzën e mirësisë qytetare! Prandaj ne më shumë se kurrë, do të vazhdojmë misionin tonë për rikthim të shpresës dhe ndryshimit!”,– shkruan Muka.