Të shpëtuar dy vite më parë nga një organizatë ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve, dy arinjtë që për shumë vite përdoreshin për shërbime fotografike nëpër zonat më të frekuentuara të Durrësit duket se kanë gjetur parajsën në Zvicër.

Fotoja është shkrepur ditën e sotme në Arosa, një qendër e rëndësishme turistike e Zvicrës, ku dy arinjtë që këtu ishin nën peshë dhe të keqtrajtuar, tashmë kalojnë ditët e tyre të lumtur mes natyrës së alpeve zviceriane.

Arushët Amelia dhe Meimo duket se janë përshtatur më së miri me habitatin e tyre të ri, ku qëndrojnë prej dy vitesh.

Ata janë një nga atraksionet e zonës dhe autoritetet e atjeshme përmes materialeve informuese dhe fotove nga vitet e tyre të vështira në Shqipëri, u japin turistëve informacion të bollshëm për arinjtë 15-vjeçarë.

Ata u shpëtuan dy vite më parë nga organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve «Vier Pfoten» («Katër shputat»), që I mori nga një restorant në Shkodër, ku jetonin në kushte të rënda.