Vërtet në vitet e regjimit të kaluar nuk u bë asnjë përpjekje serioze për të zbuluar se çfarë fshihej në fund të detit, por ama ato objekte u ruajtën ashtu siç i kishte konservuar habitati ujor për mijëvjeçarë. Ndërkohë, në këto vite arkeomafia ka grabitur pa mëshirë dhe në mënyrë sistematike shumë relike që dergjen në fund të detit në bregdetit shqiptar. Me këtë dëmtim që po pëson materiali arkeologjik, po dëmtohet kodi gjenetik i shqiptarëve….

Pavarësisht përpjekjeve të bëra vitet e fundit për të zbuluar trashëgiminë kulturore nënujore të vendit tonë ende mbetet shumë punë për të bërë në këtë drejtim. Mungesa e fondeve dhe mosinteresimi i shtetit ka bërë që gjithçka të mbetet në dorë të privatëve, që kryesisht janë institucione të huaja që përmes projekteve të ndryshme po eksplorojnë bregdetin shqiptar për të zbuluar dhe nxjerrë nga thellësitë ujore objekte të kësaj trashëgimie, që do të hedhin dritë mbi shumë aspekte të jetës ekonomike dhe sociale të qyteteve bregdetare antike të vendit tonë. Adrian Anastasi, drejtori i qendrës së studimeve detare dhe arkeologjike nënujore, që qendrën e saj e ka në Durrës thotë se ndryshe nga arkeologjia në tokë, nënujorja paraqet specifika të veçanta, për vetë ambientin ku zhvillohen kërkimet. Nga ana tjetër Anastasi nuk nguron të drejtojë gishtin mbi segmente të caktuara shtetërore që i përkasin shkencës, por që në vend që të mbështesin projektet për zbulimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve i pengojnë ato duke “kontribuar” për dëmtimin dhe vjedhjen e kësaj pasurie.

Arkeologjia nënujore dhe arkeomafia

Gjatë viteve të regjimit komunist, falë gërmimeve të arkeologëve të apasionuar, dolën në dritë shumë site arkeologjike me të cilat vendi ynë ka se ç’tu ofrojë turistëve të huaj të interesuar për të njohur nga afër trashëgiminë kulturore, historinë, traditat e zakonet e popullit shqiptar që nga periudhat më të hershme antike e deri në vitet e mesjetës së vonë. Por gjatë këtyre viteve asnjë kërkim i specializuar nuk u bë në bregdetin shqiptar, kjo edhe për fakt të mungesës së pajisjeve të nevojshme teknologjike e shkencore. Survejimi i rreptë i të gjithë bregdetit gjatë atyre viteve nga regjimi i kohës pati sipas Anastasit një të mirë të madhe. “Vërtet në vitet e regjimit të kaluar nuk u bë asnjë përpjekje serioze për të zbuluar se çfarë fshihej në fund të detit, por ama ato objekte u ruajtën ashtu siç i kishte konservuar habitati ujor për mijëvjeçarë. Ndërkohë në këto vite arkeomafia ka grabitur pa mëshirë dhe në mënyrë sistematike shumë relike që dergjen në fund të detit në bregdetit shqiptar. Me këtë dëmtim që po pëson materiali arkeologjik, po dëmtohet kodi gjenetik i shqiptarëve”,- thotë Anastasi.

Arkeologu nënujor nënvizon se shumë nga vendndodhjet e relikeve të gjetura në fund të detit nuk bëhen publike, sepse shteti shqiptar nuk ndërmerr asnjë masë për ruajtjen e tyre. Nëse ato do të bëheshin të ditura mund të kishin fatin e simotrave të tyre që tashmë janë dëmtuar rëndë nga vjedhjet e vazhdueshme nga zhytës të thjeshtë apo profesionistë si dhe nga njerëz që merren me tregtinë e paligjshme të tyre. Shumë prej këtyre relikeve mund të paraqesnin mjaft interes për të apasionuarit e kësaj fushe duke i dhënë kështu zhvillim turizmit kulturor nënujor, por Anastasi thekson se pa u përgatitur një studim i vërtetë shkencor për këto relike anijesh të mbytyra në pjesë të ndryshme të bregdetit shqiptar një gjë e tillë nuk është e mundur. “Pa u përcaktuar saktë karakteristikat e veçanta të anijes si: periudha kohore së cilës i përket, lloji i saj, ngarkesa që mbarte etj nuk mund të dërgosh njerëz për t’i vizituar ato, sepse nuk mund t’ua shuash kuriozitetin në këtë drejtim”,- thotë Anastasi.

Në të njëjtën kohë ai nënvizon se këto site nënujore duhet të ofrojnë material të bollshëm arkeologjik për të qenë sa më atraktive dhe për t’u kthyer në vende që shfaqin interes të gjerë për t’u vizituar. Gjithsesi kjo duket se do të realizohet vite më vonë, sepse kërkon jo vetëm mjete të specializuara, por dhe personel të specializuar për të realizuar një sipërmarrje të tillë. “Primare,- sipas Anastasit,- është përfundimi i projektit për krijimin e hartës dixhitale tredimensionale të bregdetit shqiptar, pra i hartës arkeologjike nënujore, e cila do të ofronte përmes skanimit të bregdetit një panoramë të qartë për arkeologët lidhur me anomalitë që evidentohen në fund të detit. Këto anomali janë pikat që evidentohen si të dyshimta e ku mund të ketë material arkeologjik”. Gjithsesi puna nga ekipi shqiptaro-amerikan që merret me këtë projekt zhvillohet vetëm gjatë stinës së verës duke bërë që të mos ketë një afat të saktë se kur do të përfundojë i gjithë proçesi. Aktualisht skanimi i bregdetit bëhet deri në 130 metra thellësi, ndërsa për vende të veçanta që mund të paraqesin interes për specialistët e kësaj fushe ai bëhet deri në një thellësi prej 300 metrash.

Projekti panilirik dhe projekte të tjerë

Në të gjithë këto vite, kur arkeologjia nënujore ka nisur të studiohet nuk është arritur zbulimi i ndonjë anijeje ilire, megjithëse, sipas specialistëve, në dokumentat antike ka shumë të dhëna për ekzistencën e tyre. Për këtë arsye,- thotë arkeologu Anastasi,- po mendohet për të vënë në jetë një projekt panilirik, i cili do të përfshijë jo vetëm bregdetin e Shqipërisë, por edhe atë të Malit të Zi dhe Kroacisë. Një komitet shkencor, me përfaqësues nga vendet që do të përfshihen në të, do të ngrihet për këtë qëllim dhe do të ketë si qëllim kryesor grumbullimin dhe administrimin e të gjithë të dhënave shkencore që do të dalin në dritë. Në botën shkencore ka interesim të madh në këtë drejtim, prandaj nëse do të arrinim të zbulonim diçka do të ishte një zbulim mjaft i rëndësishëm”. Në të njëjtën kohë, një projekt mjaft i rëndësishëm është ai shqiptaro-zvicerian, i përqendruar në Orikum, e që do nisë në fund të muajit qershor. Përmes skanimit të lagunës, marrjes së kampionëve për të interpretuar parametrat e saj dhe studimit elektromanjetik të kanalit hyrës që e lidh lagunën me detin do të realizohet një hartë e gjithë kësaj zone, e cila mund të ketë potencial të madh arkeologjik. Këto vise përshkruhen në shkrimet e vjetra të periudhës romake, kur ato u kthyen në sheshbeteje detare mes flotave të Çezarit e Pompeit e për këtë qëllim mund të fshehin pasuri të shumta arkeologjike.

Një tjetër projekt është ai që sheh të impenjuar arkeologët shqiptarë dhe ata polakë në Shkodër. Liqeni i Shkodrës ka qenë një nyje e rëndësishme tregtare mes vendeve fqinje e për këtë arsye ai do të jetë një tjetër habitat ku do të përqendrohen kërkimet e arkeologëve. Ikonografia navale e zbuluar deri tani jep detaje të mjaftueshme për të hedhur hipoteza të ndryshme mbi atë çfarë mund të fshihet në fund të bregdetit tonë. Krahas anijeve të mbytura, të zbuluara dhe të bëra publike, arkeologët shqiptarë dhe të huaj shpresojnë se ende në thellësitë ujore fshihen objekte të tjera që do ta pasurojnë edhe më shumë trashëgiminë kulturore shqiptare. Por duket se edhe këto projekte janë prekur nga kriza. Kështu projekti “Liburna”, një projekt i përbashkët shqiptaro-italian rrezikon të mos rinisë këtë vit, për shkak të situatës së vështirë ekonomike që po kalon fqinji ynë i përtej Adriatikut.

Rëndësia e arkeologjisë nënujore

Dokumentimi i pasurisë nënujore arkeologjike të vendit tonë do të mbushte vakuumin që ekziston në drejtim të vlerësimit të shkëmbimeve tregtare e kulturore në detin Adriatik dhe Jon që nga antikiteti e deri më sot dhe në të njëjtën kohë do të ndihmonte në intensifikimin e shkëmbimeve midis vendeve fqinje në fushën e arkeologjisë nënujore.

Gjetjet e izoluara të deritanishme, objektet e shumta arkeologjike, në veçanti anfora tregtare, të konservuara në muze të ndryshëm të Shqipërisë, si dhe kërkimet sistematike të nisura vitet e fundit, në veçanti në zonën e Durrësit, përveç rëndësisë që kanë sepse hedhin dritë mbi aspekte të ndryshme të historisë së sistemit portual shqiptar dhe mbi zhvillimin ekonomik të qyteteve antike, të përqendruara kryesisht përgjatë vijës bregdetare, ato gjithashtu evidentojnë pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore mijëravjeçare. Për vetë pozicionin që vendi ynë ka pasur, shumë pranë Italisë dhe Greqisë, dy nga qendrat më të rëndësishme të botës antike, qytetet tona bregdetare kanë pasur shkëmbime të shumta tregtaro-ekonomike me perandorinë romake përmes flotës detare të të dy vendeve.