Fundjavën e ardhshme, duke nisur nga dita e premte, teatri “Aleksandër Moisiu” do të shfaqë premierën e parë për sezonin e vjeshtës. Komedia e njohur e Karlo Goldonit, e shkuar në vitin e largët 1745, “Arlekini, shërbëtori i dy zotërinjve”, do të ngjisë në skenë, pjesën më të madhe të aktorëve të trupës së Durrësit. Pas rreth një viti mungese në skenë (që nga shfaqja e komedisë “Dashuri e dytë në moshë të tretë) kthehet të interpretojë në rolin e protagonistit aktori i njohur i humorit, Muharrem Hoxha.
Komedia do të vijë në regjinë e Hervin Çulit, i cili edhe më parë ka vënë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, pjesë të pritura mirë nga publiku si “Udhëtimi pa vizë i një alieni” etj. Çuli thotë se “shfaqja do të jetë një aventurë teatrale unike dhe e pa përsëritshme me lojrat, trishtimin, dredhirat e gënjeshtrat, batutat e improvizimet, ankthet dhe lumturinë, të cilat në një shfaqje të vetme mund t’ua ofrojë vetëm Arlekini, Shërbëtori i dy zotërinjve”.
Shfaqja e parë teatrale për këtë sezon pritet të gjallërojë disi jetën mjaft të vakët artistike në Durrës, që në muajt në vazhdim pritet ta vuajë edhe më shumë mungesën e veprimtarive kulturore si shkak i anullimit të të gjitha aktiviteteve për mungesë fondesh. Komedia e Goldonit është vënë edhe herë të tjera në skenat shqiptare, por regjizori Çuli premton një qasje të re për këtë komedi gati tre shekullore. Në rolet kryesore krahas M. Hoxhës interpretojnë aktorët e rinj Adelina Muça, Besmir Bitraku, Xhejni Fama, Ervin Doko, Eralda Çaushi si dhe të mirënjohurit Roland Koça, Sanie Hoti dhe Gjergj Doçi. Skenografia i është besuar Noset Shijakut.