Në përgjigje të tarifave të Donald Trump, Kina mori hak pjesërisht me kufizimin e eksporteve për një mori elementësh të rrallë të tokës. Këto të fundit janë tejet të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara sepse shërbejnë për krijimin e armëve, çipave kompjuterikë dhe makinave elektrike.

Teksa lufta tregtare mes tyre vijon të rritet, kjo është “leva” shumë e rëndësishme që Kina ka në dorë, por megjithatë ka një arsye që ajo nuk do i bllokojë plotësisht aksesin në to, Amerikës. Paratë që fiton! E nëse ajo gjë ndodh, kjo pjesë e industrisë do ishte në fazë kritike për shumë shtete. “SHBA nuk i ka mjetet e nevojshme për të prodhuar armë të tilla”, thonë ekspertët.

Toka e rrallë

Dysprosium dhe terbium, gjenden në njësitë e smartfonëve. Neodymium fuqizon motorët e automjeteve elektrike. Një tjetër metal i fortë është tungsten që përdoret për municionet dhe tek motorët e avionëve. Kështu që, është mëse e qartë tanimë se pavarësisht tarifave, kjo është “arma” e Kinës, fushë në të cilën ka një dominancë të palëkundshme dhe patjetër mund të ndikojë menjëherë në zinxhirin e furnizimit.

Duhet theksuar se Shtëpia e Bardhë u tregua e kujdesshme dhe nuk e “preku” këtë sektor në vazhdën e tarifave të saj, por kjo s’e ndalon Kinën që ta përdorë më së miri në avantazh të saj, duke dhënë urdhër për kontrolle strike të eksporteve për 7 lloje elementesh tokësore.

Hoqi disa prej tyre nga “qarkullimi”, neodymium dhe praseodymium dhe disa elementë që përdoren gjerësisht për mikroçipet e AI (Inteligjenca Artificiale). Me këtë lëvizje, është e kuptueshme që Kina do e përdorë si mjet negocimi ose do përshkallëzohen tensionet. Megjithatë, rreziku më i madh për kompanitë amerikane do vijë kur Kina të mbledhë të gjitha informacionet për këtë treg dhe të vendosë sanksionet e saj.

Kapaciteti i SHBA-së

Shumë ekspertë kanë kërkuar që SHBA të mos “varet” nga shtetet e tjera, duke lënë të hapur mundësinë për nxjerrje të elementëve të tillë në Hënë. Nga ana tjetër, sipërmarrësit kanë nisur me ndërtimin e minierave dhe objekteve të përpunimit në gjithë Amerikën. Patjetër që SHBA mund të fuqizohet dhe t’ia dalë e vetme…Problemi është se kjo kërkon një kohë relativisht të gjatë. Në këtë pikë, a ia vlen që të vendosen tarifa që në mënyrë indirekte ndikojnë negativisht te vetë Amerika?!

Po Groenlanda?

Spekulohet se elementë të tillë gjenden në Groenlandë, kjo do shpjegonte në fakt interesin e madh të Presidentit Donald Trump për këtë territor. Bill Gates dhe Jeff Bezos kanë investuar me disa kompani atje, por nxjerrja e mineraleve është sfiduese për shkak të kushteve atmosferike.