8 pisqolla të viteve 1800, të prodhuara nga artizanë durrsakë e jo vetëm do të ekspozohen në Tiranë, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë. Drejtori i rrjetit muzeor të qytetit, Edmond Agolli, shprehet se armët dy shekullore do të jenë pjesë e ekspozitës së armëve të prodhimit tradicional. Krahas 8 pisqollave, Durrësi do të prezantohet në këtë ekspozitë në nivel kombëtar edhe nga një shpatë e po së njëjtës periudhë doreza me dru e së cilës përbën një punim tradicional me vlera të konsiderueshme artistike.
Por ato që të tërheqin më tepër vëmendjen nga objektet që do bëhen pjesë e ekspozitës së programuar për t’u hapur gjatë muajit nëntor janë dy kuti baruti, që krahas funksionit të tyre të parë, mbajtjes së pluhurit të barutit, kanë edhe funksion artistik, pasi e gjithë sipërfaqja e kutisë është e larë në argjend. Të dy kutitë në formë drejtkëndëshi janë zbukuruar me motive floreale, të cilat shtrihen përgjatë gjithë gjatësisë së pamjes ballore të kutisë. Ndërkohë në pjesën e prapme ajo është zbukuruar me dekor të thjeshtë me ovale.
Të gjithë armët janë pjesë e fondit të muzeut të kulturës popullore dhe pjesa më e madhe e tyre janë të ekspozuara në stendat e ndryshme të muzeut, krahas veshje karakteristike të asaj periudhe. Ndërsa armët janë pastruar nga ekspertët e tyre për t’i bërë gati për në ekspozitë, të tërheqin vëmendjen zbukurimet e tyre të realizuara më mjeshtëri artistike nga artizanët vendas.
Megjithëse armët nuk nënkuptojnë aspak paqen, zbukurimi i tyre me motive floreale, me zogj e lule apo dhe materiale të çmueshme si sermi vërteton se shqiptarët krahas faktit që ishin luftëtarë të shquar ishin dhe “qejflinj” armësh, të punuara bukur artistikisht. Në një nga pisqollat e vitit 1800, e vetmja e punuar me material hekuri, bakri dhe sermi, vihet re një punim mjaft i bukur në filigram, ndërkohë që në pjesën e sipërme të dorezës, në mes të luleve janë vendosur tre rombe të incizuar me motive.
Në krye të rombeve janë të vendosur dy gurë të kuq. Pjesa më e madhe e pisqollave kanë punime të përsosura artistike sidomos në pjesën e dorezës, ku formës dhe zbukurimit të saj i është kushtuar një rëndësi e veçantë. Në çertifikatën përkatëse që shoqëron secilën armë nënvizohet fakti se një pjesë e konsiderueshme e tyre janë dorëzuar nga qytetarë durrsakë apo shijakas në vitin 1982, me rastin e ekspozitës së parë të kulturës popullore në Durrës.