TURQI, 19 shkurt 2013- Sipas raportimeve të medieve në Turqi, 167 terroristë të dyshuar janë arrestuar në disa qytete në mbarë vendin, duke përfshirë Ankaranë dhe Stambollin.

Zyrtarë turq të sigurisë janë cituar të kenë thënë se të arrestuarit në ditën e martë mund të kenë lidhje me një organizatë terroriste të quajtur Partia Fronti Çlirimtar Popullor Revolucionar (DHKP-C).

Organizata me ideologji komuniste, mori përgjegjësinë për bombën vetëvrasëse kundër ambasadës amerikane në Ankara më 1 shkurt, që vrau një roje turk të sigurisë si dhe vet sulmuesin.

Nga ky sulm u plagosën edhe disa njerëz të tjerë. Zyrtarë anonimë turq të sigurisë i thanë medieve se anëtarët e DHKP-C tre muaj më parë kanë hyrë në Turqi nga vende të paidentifikuara dhe u përpoqën të vendosin kontakte me grupe ekstremiste lokale.

DHKP-C sulmon objektivat qeveritare dhe ushtarake në atë që ajo e konsideron si një luftë kundër imperializmit amerikan.