Nga DurrësLajm
Që nga dita e hënë, nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Jusuf Puka” kanë nisur ta zhvillojnë procesin mësimor tek shkolla “Bedrie Bebeziqi”, për shkak se shkolla e tyre do të rikonstruktohet. Por përzgjedhja e kësaj shkolle për të zhvilluar procesin mësimor ka shqetësuar dhe acaruar prindërit, pasi ata kanë parë me sytë e tyre se shkolla ku do të mësojnë fëmijët e tyre është në gjendje skandaloze.
Vetëm disa ditë, pasi filloi viti i ri arsimor, DurrësLajm denoncoi përmes fotove kushtet tejet të vështira në të cilat zhvillonin mësimin nxënësit e shkollës “Bedrie Bebeziqi”. Mure me suva të rënë, ambiente të palyera prej vitesh, tavolina dhe karrike të dëmtuara rëndë dhe banjo pa dyer.
Dhe sikur të mos mjaftonte që nxënësit e një shkolle detyroheshin të mësonin në të tilla kushte, tashmë nxënësit edhe të një shkolle tjetër detyrohen të ndjekin mësimet në klasa ku mungojnë llampat për ndriçim, të shkojnë në tualete ku mungojnë dyert dhe madje të ndjejnë gjatë të gjithë kohës erën e rëndë të tualeteve që të shoqëron ngado, sapo fut këmbët në shkollë.
Me të drejtë prindërit e 480 nxënësve të shkollës "Jusuf Puka" ngritën zërin gjatë ditës së sotme, madje pati prej atyre që thanë se nuk do t’i dërgojnë më fëmijët e tyre në shkollën pritëse, pasi nuk duan që të vegjlit e tyre të jenë të detyruar të kalojnë një vit shkollor në një shkollë, që nuk meriton të quhet e tillë, për më tepër që kjo gjendje katastrofale shfaqet në mes të qytetit bregdetar.
Por ajo që e bën situatën edhe më të rëndë është arroganca e tepruar që shfaqi sot drejtoresha e DAR Durrës, Lindita Muka, gjatë prononcimit për DurrësLajm. Muka ishte sot për të parë nga afër kushtet e shkollës, pas reagimit mjaft të ashpër të prindërve.
Ndërkohë që era e rëndë e tualeteve të çan hundët sapo hyn në shkollë dhe është për të ardhur keq që nxënësit e dy shkollave tashmë duhet të durojnë aromën e kanalizimeve, drejtoresha Muka bën një deklaratë që ndoshta kur ta dëgjojë edhe njëherë do habitet me veten!!!
“Të mos pretendojmë shumë. Po t’i referohemi aromave, Durrësi i gjithi mban aromë”,- deklaroi Muka (në fund të shkrimit e plotë deklarata e Lindita Mukës). Vërtet drejtoreshë në shumë zona të qytetit ndihet era e fekaleve prej kanalizimeve problematike, por kjo nuk do të thotë që duhet të detyrosh rreth 1000 fëmijë të bashkëjetojnë me këtë erë për orë të tëra, pasi ju si titullari i institucionit që ka në dorë fatet e arsimit parauniversitar në Durrës nuk gjeni një zgjidhje së bashku me drejtoritë e pushtetit vendor për t’ua evituar nxënësve këtë torturë.
Megjithëse në shkollën “Bedrie Bebeziqi” nuk është vënë dorë prej vitesh, madje edhe për t’i dhënë një bojë ambienteve të brendshme. drejtoresha deklaron “të bëjmë pak sakrificë dhe të përfitojmë apo të ngremë barriera dhe të krijojmë situata të pazgjidhshme”.
Ndoshta DAR Durrës e ka menduar zgjedhjen e shkollës “Bedrie Bebeziqi” si shkollë pritëse si më të mirën e mundshme për shkak të afërsisë që ka me shkollën “Jusuf Puka”, kjo nuk do të thotë që t’u imponosh nxënësve dhe prindërve ambiente që janë shumë larg ambienteve normale të zhvillimit të mësimit.
Ndërsa tualeteve u mungojnë dyert, drejtoresha justifikohet duke thënë se është vetëm dera kryesore e banjos së përbashkët!!!
Me logjikën e drejtoreshës Muka, fëmijët duhet t’i kryejnë nevojat personale duke mbajtur rradhën tek dera e duke hyrë një e nga një ose t’i kryejnë në sy të njëri-tjetrit, përderisa dyert e ndërmjetme mungojnë…
Ky ndoshta sipas drejtoreshës do të ishte një STANDART i ri që duhet të aplikohet në shkollë!!!
Para se të kërkojë mirëkuptimin e prindërve dhe nxënësve të të dyja shkollave për kushtet tejet skandaloze të shkollave, drejtoresha Muka duhet të kishte kërkuar nga pushteti vendor ndërhyrje të pjeshme në shkollën “Bedrie Bebeziqi”, meqë ky institucion arsimor do të përballonte përgjatë këtij viti arsimor jo një, por dy shkolla.
Lyerja e meremetimi i ambienteve dhe ndërhyrja në rrjetin e kanalizimeve duhet të ishin prioritare për DAR Durrës në këtë shkollë, që para nisjes së procesit mësimor. Deklarata arrogante se “nuk mund të presësh mjediset më maksimale për zhvillimin e mësimit” tregon thjesht paaftësinë e DAR Durrës për të evidentuar problematikat reale të arsimit në qytetin bregdetar dhe për të gjetur zgjidhje provizore për to.
Sipas drejtoreshës, prindërit e nxënësve të shkollës “Jusuf Puka” nuk duhet të ngrenë zërin, pasi prindërit e nxënësve të “Bedrie Bebeziqit” nuk janë ankuar deri më tani.
Me këtë pretendim, drejtoresha Muka të kujton thënien e vjetër popullore “Po nuk qau fëmija, nuk i jep nëna me pi”. Pra përsa kohë prindërit nuk flasin, fëmijët le të vazhdojnë të zhvillojnë mësimin në këto kushte spartane, pasi DAR Durrës nuk ka sy të shohë se në ambientet e shkollës duket sikur ka rënë ‘bomba’.
Është e vërtetë që DAR Durrës nuk ka fonde vetë për të ndërhyrë nëpër shkolla dhe gjithçka varet nga investimet që realizon pushteti lokal në institucionet e arsimit, por të shprehesh me arrogancë ndërkohë që prindërit kërkojnë me të drejtë kushte normale për zhvillimin e mësimit (JO KUSHTE MAKSIMALE) është të tregosh mospërfillje ndaj shqetësimit të drejtë të komunitetit të prindërve dhe nxënësve.
Për rikujtesë ndaj drejtoreshës Muka, DurrësLajm po publikon edhe njëherë fotot nga ambientet e brendshme të klasave dhe tualeteve të shkollës “Bedrie Bebeziqi”.
Ndoshta në nxitim e sipër gjatë inspektimit të saj, drejtoreshës Lindita Muka i janë dukur normale këto ambiente dhe do t'u mbushë mendjen edhe prindërve se nuk kanë arsye pse të shqetësohen!!!