Raporti i fundit i Bankës Botërore për arsimin në Shqipëri është më shumë se një dokument teknik , është një pasqyrë tronditëse e një realiteti të paralajmëruar dhe të injoruar sistematikisht.
Megjithëse të dhënat dhe vlerësimet ndërkombëtare, përfshirë ato të PISA-s , tregojnë një rënie të vazhdueshme të cilësisë arsimore, institucionet vazhdojnë të heshtin, ndërsa fëmijët e këtij vendi mbeten viktima të një mashtrimi kombëtar.
1. Milionat për PISA, rezultatet fiktive dhe fëmijët e braktisur
Vitet e fundit, Shqipëria ka marrë pjesë në programin ndërkombëtar të vlerësimit të nxënësve (PISA), duke konsumuar miliona nga buxheti i shtetit për përgatitjen dhe realizimin e këtij procesi. Por ku janë rezultatet reale? Në vend të përmirësimit të mësimdhënies, jemi përballë një skenari ku notat fryhen, sukseset simulohen dhe realiteti i kompetencave të 15-vjeçarëve shqiptarë është alarmant. Ky është fiktiviteti më i rrezikshëm: ai që i bën fëmijët tanë të besojnë se po ecin përpara, ndërkohë që në të vërtetë po fundosen në një sistem pa busull.
2. Diploma bosh, paga të plota, mësuesit pa mësimdhënie
Në sistemin tonë arsimor gjenden me dhjetëra individë që, ndonëse mbajnë diploma formalisht të vlefshme, nuk zotërojnë as kompetencat bazë për të dhënë mësim. Ata paguhen pothuajse sa mësuesit me titull ‘Mjeshtër’, por nuk i afrohen as minimumit të nevojshëm për të frymëzuar, udhëhequr apo edukuar. Këta individë duhen ose të rikthehen urgjentisht në auditore për formim profesional, ose të largohen nga sistemi para se të bëjnë dëme të parikuperueshme.
3. Arsimi si moçal: ku mungon fryma, inovacioni dhe rifreskimi
Një tjetër plagë e rëndë është prania e një mase mësuesish të ‘mykosur’, individë që ndonëse kanë mbi dy dekada përvojë, kanë mbetur të ngurosur në metoda të vjetruara dhe pa asnjë kontakt me zhvillimet bashkëkohore. Klasat e tyre janë vende ku koha ka ndalur. Mungon çdo fleksibilitet, çdo qasje e re, çdo përpjekje për të motivuar brezat e rinj që janë rritur me teknologji dhe kërkojnë stimuj ndryshe.
4. Drejtues shkollash të deleguar, jo të përkushtuar
Një kategori tjetër problematike është ajo e drejtuesve të institucioneve arsimore, shumë prej të cilëve e kanë siguruarvendin vetëm përmes pagesës së një ‘takse’ të heshtur prej 3.000 deri në 5.000 euro. Në vend që të jenë liderë që mbështesin stafin dhe promovojnë cilësinë në mësimdhënie, ata kthehen në zëdhënës të propagandës politike. Dalin me zë e figurë në media për të reklamuar një realitet të rremë, duke u bërë jo fytyra, por turpi i sistemit arsimor.
5. Zyra të mbyllura me ‘ekspertë’ që nuk njohin terrenin
Në zyrat e administratës arsimore gjenden individë që, përveç një etikete ‘ekspert’ në derë, nuk kanë as kontakt real me problemet në terren, as dëshirë për të ndërhyrë. Janë këta që hartojnë politika të pakuptimta, që mbajnë peng reforma, dhe që i japin përparësi status quo-së në vend të përmirësimit. Edukimi nuk mund të mbahet peng prej burokratësh që nuk e kanë parë një klasë nga afër në dekada.
6. Prindër që pranojnë komoditetin, por jo përgjegjësinë
Për fat të keq, edhe prindërimi është prekur nga kjo amulli kolektive. Shumë prindër mendojnë se detyrat e tyre përfundojnë me sigurimin e ushqimit, veshjes apo një dadoje. Por fëmijët e kësaj kohe kanë nevojë për më shumë: kohë cilësore, mbështetje emocionale, vendimmarrje të matur në favor të zhvillimit të tyre. Ndryshe, po rrisim gjenerata me mungesë të empatisë, vetëbesimit dhe përgatitjes për jetën.
Mesazhe për t’u ndalur dhe reflektuar
* Arsimi nuk është një numër në tabelat e PISA-s; është fati ifëmijëve tanë.
* Nuk mund të kemi mësues me diploma të zbrazëta dhe të presim rezultate të plota.
* Drejtimi i një shkolle nuk është detyrë për militantët, por për liderët.
* Një sistem që shpërblen ngurtësinë dhe ndëshkon inovacionin është i destinuar të dështojë.
* Fëmijët nuk janë përgjegjësi vetëm e shkollës, ata janë reflektimi më i saktë i kujdesit (ose neglizhencës) prindërore.
Kushdo që ikën nga ky vend, të mos harrojë të fikë dritën…
Nëse nuk ndërhyjmë sot, të nesërmes do t’i mungojnë mësuesit e vërtetë, drejtuesit vizionarë, prindërit e ndërgjegjshëm dhe, mbi të gjitha, fëmijët me ëndrra të arritshme. Dhe atëherë, kur dritat të jenë fikur, nuk do mbetet tjetër veç ironisë së hidhur: kush të mbetet i fundit, të mbyllë derën dhe të firmosë për pasaportën europiane./Syri.net