Italia do të përballet të hënën, më 18 maj, me një grevë të përgjithshme 24-orëshe që pritet të paralizojë një pjesë të madhe të shërbimeve publike në të gjithë vendin.
Greva është organizuar nga sindikatat italiane dhe përfshin sektorë të rëndësishëm si transporti publik, hekurudhat, shkollat, spitalet dhe administrata shtetërore.
Sindikatat kundërshtojnë përfshirjen e Italisë në konfliktet ndërkombëtare dhe kërkojnë që fondet publike të orientohen drejt pagave, pensioneve, shërbimeve sociale dhe mbështetjes për qytetarët.
Një nga sektorët më të prekur pritet të jetë transporti hekurudhor. Trenitalia ka paralajmëruar anulime dhe vonesa të shumta në trenat kombëtarë dhe rajonalë nga mbrëmja e së dielës deri të hënën në mbrëmje.
Probleme të mëdha priten edhe në transportin urban në Romë dhe Milano, ku autobusët, tramvajet dhe linjat e metrosë mund të funksionojnë me orare të kufizuara. Në Romë, kompania ATAC bëri të ditur se shërbimi do të garantohet vetëm në disa fashë orare të detyrueshme, ndërsa në Milano edhe ATM ka paralajmëruar ndërprerje dhe ndryshime në qarkullim.
Greva pritet të ndikojë edhe në spitale dhe shkolla. Vizitat mjekësore dhe analizat jo urgjente mund të shtyhen, ndërsa funksionimi i shkollave do të varet nga pjesëmarrja e mësuesve dhe stafit në protestë.
Vështirësi priten edhe në administratën publike, ku disa zyra shtetërore, sportele shërbimi dhe agjenci tatimore mund të punojnë me orar të reduktuar ose të mos hapen fare gjatë ditës së grevës.





