Nga Fatos Lubonja

Të flasësh për një qendër hapjeje dhe dialogu në shtëpinë e Ramës, është njëlloj sikur të flasësh për një festival kënge në një shtëpi shurdhmemecësh, sepse nëse ka ndonjë gjë që i mungon atij, është aftësia për të dëgjuar mendimin ndryshe dhe kundër. Kush e ka ndjekur aktivitetin e tij si politikan, nuk mund të mos vërë re një gjuhë të impostuar mbi superioritetin, fyerjen, denigrimin dhe injorimin e tjetrit që mendon ndryshe.

Ai ka vite që nuk del më në ndonjë debat duke preferuar rolin e të intervistuarit të vetëm, që nuk i përgjigjet seriozisht asnjë kritike për çfarëdo çështje që ngrihet, që nuk ka asnjë transparencë për vendimmarrjet e tij.

Shikoni nivelin e atyre që ka si këshilltarë po ashtu. Së fundi, pamë se në Asamblenë e Partisë Socialiste u hodh propozimi më antidemokratik që mund të kishim dëgjuar ndonjëherë në këto njëzetepesë vite të ashtuquajtura demokraci: të gjithë do t’i nënshtroheshin zgjedhjeve, përveç kryetarit. A mundet kush është intelektual e artist i vërtetë të qëndrojë indiferent ndaj këtyre sjelljeje të pushtetit e madje të bashkëpunojë me të?

Prandaj ngulmoj se ideja e hapjes së një qendre dialogu dhe hapjeje për intelektualët dhe artistët mu në selinë e pushtetit, nën kurimin e Kryeministrit, instinktivisht, edhe pa e njohur Ramën dhe historinë që kemi me pushtetin, duhet të ishte refuzuar nga intelektualët dhe artistët e vërtetë.

Sipas mendimit tim, edhe artistët e huaj të ekspozuar atje janë keqpërdorur, në mos korruptuar, nga Rama dhe Sala, sepse, në fakt, mjaftonte vetëm mënyra e paligjshme dhe arrogante me të cilën u hap kjo qendër që artistët e vërtetë të refuzonin të hynin atje.

Jo shumë kohë më parë, në Itali, bash në një vizitë të Merkelit, intelektualët italianë denoncuan përdorimin e artit të rinashimentos italiane nga Renzi për qëllimet e tij politike, vetëm pse vendosi në sfond të konferencës për shtyp me Merkelin një kopje të “Davidit” të Mikelanxhelos.

Marrë nga gazeta ‘Panorama’, 4 gusht 2015