Jasir Asani i ka impresionuar të gjithë me formën e shfaqur në ekipin kombëtar në fushatën kualifikuese të Euro 2024.

Nga një futbollist normal, gati-gati në të panjohur, sot Asani është kthyer në lojtarin më të dashur nga tifozët dhe ndër më të vlerësuarin nga trajneri Sylvinho.

Ishte pikërisht ky njeri që i ndryshoi jetën sulmuesit të krahut dhe ai në një intervistë për “Cronache di spogliatoio”, e falenderon që e fitoi në kombëtare, ndërsa zbuloi se ka oferta nga ligat më të rëndësishme në Europë.

Shpërthimi në kombëtare – Po jetoj një jetë të dytë. Them kështu pasi kisha shumë kohë që e prisja një ftesë nga Shqipëria, aq shumë sa për një moment mendova se nuk do të vinte kurrë. Tanimë jam një prej lojtarëve kryesor të Shqipërisë që për specialistët e futbollit dhe mediat në vendin tonë, quhet Shqipëria më e mirë e të gjitha kohërave. Unë nuk mund ta përcaktoj dot nëse është kjo apo jo, por ky është mendimi i tyre dhe unë sigurisht ndihem me fat që jam pjesë e kësaj periudhe të artë. Jeta më ka ndryshuar shumë, në 360 gradë.

Pritja dhe durim për ftesën e Shqiperisë – Që i vogël babai më ka edukuar gjithmonë me ngjyrat kuq e zi dhe unë doja t’i shërbeja vetëm vendit tim. I shikoja gjithmonë ndeshjet e Kombëtares dhe doja që të jepja kontribut vetëm për Shqipërinë, aty e kam zemrën dhe shpirtin. Është e vërtetë, më kanë dashur edhe në Maqedoninë e Veriut, por unë prita gjatë pasi e dija se nëse do të më vinte një shans nga Shqipëria, nuk do të largohesha më prej saj.

Telefonata e parë nga kombëtarja – Më kanë kontaktuar nga stafi i Silvinjos. Po fluturoja nga gëzimi kur e mësova se isha në listën e tyre dhe se po më ndiqnin. Silvinjo kërkonte një sulmues për krahun e djathtë. Në Shqipëri nuk besonin se unë do të luaja si titullar në fillim me Silvinjon, menduan thjesht se do të isha aty për të mbushur listën e lojtarëve. Mjaftuan 90 minuta kundër Polonisë në transfertë, në atë humbje që ishte e pamerituar dhe pjesa tjetër është histori…

Sylvinho dhe kthesa në karrierë – Është e drejtë dhe unë i jam shumë falënderues. Duhet të them të vërtetën që Kombëtarja është edhe një vitrinë shumë e mirë për të parë menaxher të ndryshëm dhe për të shkuar në klube elitare në Europë. E sidomos kur Kombëtarja ka kaq shumë rezultate të mira, ku kalimi në Europian dhe realizimi i golave në Europian, të japin edhe shumë bonuse në merkato. Po, Silvinjo më ka besuar që në ditën e parë kur jam grumbulluar në Kombëtare e derimë tani. Trajneri më kishte ndjekur në Kore. Kur shkoi në FSHF, ata i paraqitën një listë të gjerë me emra lojtarësh që mund të ishin pjesë e Shqipërisë. Silvinjo u ndal te mua, i pëlqente një lojtar me këmbën e majtë dhe që luante në krahun e djathtë. I përshtatesha skemës së tij.

Nga i panjohur në idhull – Këtu jemi duke u përgëzuar dhe lavdëruar si të jemi heronj. Shqiptarët jetojnë me futbollin, ata e duan shumë futbollin. E duan aq shumë sa edhe stadiume si “Camp Nou” tani do të mbusheshin nëse do të ndodheshin në Tiranë. Ka shumë shqiptarë, kudo në Europë, që janë të çmendur pas Kombëtares. Për ta është më shumë se një ekip futbolli. Më dërgojnë mesazhe dhe përgëzime në rrjetet sociale, më ndalojnë në rrugë dhe më urojnë të gjithë.

Oferta pas shpërthimit –Mendoj se momenti im ka ardhur që tani për të shkuar në një kampionat më të mirë. Golat e shënuara më kanë sjellë disa oferta shumë të rëndësishme dhe besoj se në merkaton e Janarit do të lëviz. Shqiptarët janë gjithmonë të fiksuar pas Serisë A. Kam interesime nga Italia, La Liga, Arabia Saudite, por edhe nga Gjermania. Tani është menaxheri im që po diskuton për këto çështje, unë duhet të mendoj vetëm për futbollin.

Reagimi i Szczesny-t pas golit me Poloninë – Në fillim mendova të krosoja pasi pashë Uzunin dhe Cikalleshin. Pashë Sheznin që po lëvizte dhe mbylla sot, mendova se do ta godas. E dija që nëse ai top shkonte në portë, Shezni nuk kishte asnjë shans. Në pjesën e parë, Szczesny më tha: “Bravo, nuk e prisja që ta godisje nga aty. Në Shqipëri, më thonë se po lëshoj vetëm raketa nga Koreja e Jugut, nga ato të padëshmet, nga ato që ngrenë në peshë tifozët e Shqipërisë kudo në botë.