Papa Françesku dënoi sot vdekjen e fëmijëve në konfliktet në mbarë botën, duke theksuar në një konferencë në Vatikan se asgjë nuk vlen më shumë se jeta e një fëmije. Ai kishte kritikuar fushatën ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës dhe dhunën e vazhdueshme në luftën e Rusisë në Ukrainë, por nuk përmendi një konflikt specifik në komentet e tij.
“Ajo që kemi parë në mënyrë tragjike pothuajse çdo ditë kohët e fundit është vrekja e fëmijëve nga bombat dhe kjo është e papranueshme. Duke vrarë fëmijë ju mohoni të ardhmen”, tha Papa.
Vatikani, i tronditur në dekadat e fundit nga skandalet e abuzimit seksual të fëmijëve në vende anembanë botës, ftoi sot një numër liderësh botërorë në një konferencë njëditore për të diskutuar të drejtat e fëmijëve. Mbretëresha Rania e Jordanisë, Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani dhe ish-presidenti indonezian Megawati Sukarnoputri ishin midis folësve.
Françesku ka intensifikuar kritikat e tij ndaj fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza në muajt e fundit përpara se të arrihet një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit në janar. Disa javë më parë, ai e kishte përshkruar situatën humanitare në enklavën palestineze si “shumë të rëndë dhe të turpshme”. Në fjalimin e tij sot, Papa denoncoi edhe numrin e fëmijëve të zhvendosur nga konfliktet në mbarë botën. OKB vlerëson se numri i tyre është rreth 38 milionë.
“Ne jemi këtu sot për të thënë se nuk duam që kjo të bëhet normalja e re. Ne refuzojmë të mësohemi me të,” tha Papa.