Dy të arrestuarit për atentatin e dështuar në Elbasan dolën këtë të enjte për t’u njohur me masën e sigurisë. Gjykata e Elbasanit, vendosi të lerë në arrest me burg pa afat Arben Spahiun, ndërsa për Arsen Preçin u vendos arrest me burg për 60 ditë.
Seanca u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, pa prezencën e mediave. Megjithatë edhe në sallë të gjyqit, dy të arrestuarit raportohet se i kanë mohuar akuzat.
Spahiu dhe Preçi u vunë në pranga nga policia të hënën pasi dyshohet se kishin organizuar kryerjen e një atentati ndaj një personazhi të njohur të botës së krimit në Elbasan. Dyshja rezultojnë me lidhje familjare dhe shoqërore me Erjon Alibejn, i cili ndodhet në burg si porositës i dy vrasjeve.