Çdo patos degjeneron të kundërtën e vet, dhe sa më me zë të lartë komunistët dilnin në mbrojtje të kryqëzorit “Aurora”, duke propozuar herë që anija të vendosej nën një mbulesë xhami përballë Ermitazh-it (muzeu më i madh në Rusi dhe një nga muzetë më të mëdhenj të veprave të artit në botë, institucion federal buxhetor i Rusisë), herë duke bërë thirrje për ndëshkimin e oligarkëve, që guxonin të shkelnin mbi nderin e kryqëzorit, aq më tepër kjo i ngjante këngës së këndesit në agim, ku fantazmat e revolucionit shkrihen dhe treten në mjegull.

Ndërkohë, përderisa nderi i anijes nuk ishte prekur, korpusi i saj nuk ankohej për shëndetin dhe sapo mbylleshin skandalet, i ndiqte një shatërvan uji nga hambarët, që nxitonin ta quanin nxjerrje e planifikuar e ujit me pompë. Kuptohet se për Flotën Ushtarake Detare (FUD) të Rusisë anija legjendare është vetëm telash, kështu që largimi nga “Aurora” i marinarit të fundit është kurorëzim plotësisht i pritshëm i karrierës së zgjatur revolucionare, dhe fakti se tani kryqëzori nuk ka madje as fonde për lyerjen e përvitshme me bojë, gjithçka tjetër janë vetëm detaje.

Ekuipazhi luftarak iku nga kryqëzori në fund të vitit 2010, fill sapo në bordin e “Aurorës” u bë një party (mbrëmje) me VIP-a. “Aurora” u hoq nga inventari i FUD-it, por doli një problem me sigurinë e kryqëzorit: në tetor të vitit 2011 disa aktivistë-anarkistë, që depërtuan në anije të maskuar si turistë, u ngjitën në direk dhe ngritën një flamur piratësh.

Atëherë u formua një patrullë e posaçme me marinarë, që bënte dëzhur 24-orësh në kryqëzor. Mirëmbajtjen shfrytëzuese civile të “Aurorës” duhet ta bëjë kompania “Sllavjanka” sha. Drejtori i Muzeut Qendror të FUD-it Andrej Ljalin (filial i këtij muzeu është bërë tani kryqëzori), siguroi Radion Svoboda (RS) se në kryqëzorin “Aurora” po bëhen punime të planifikuara: “Është vendosur që efektivi ushtarak do të zëvendësohej me personel civil. Për sa u përket ritualeve të “Aurorës”, të cilat janë bërë kartë-vizitë e Shën Petërburgut, gjithçka që ka të bëjë me hyrjen në anije, do të organizohet në mënyrë të re.

Objekte të tilla kulturore duhet të ruhen nga subjekte të specializuara, por lidhur me “Aurorën” tashmë ka një udhëzim të Ministrisë së Mbrojtjes: ruajtja nuk do të bëhet nga dikasteri. Në kryqëzor është bërë zëvendësimi i atij që më parë quhej rojë me marinarë në breg. Ne kemi një staf prej 38 vetash, aq sa duhet. Aktualisht punojnë më pak veta, sepse po kompletohet personeli në bord, po zgjedhim njerëz me kualifikime profesionale, nga ata që janë të interesuar të punojnë tek “Aurora”.

Në çdo rast, ka një minimum njerëzish për mirëmbajtjen dhe sigurinë e anijes. Lavdi Zotit nuk ka pasur asnjë avari, është çështje tjetër se remonti i fundit kapital i anijes u bë në vitet 1970. Por atëherë riparuesit siguruan një rezervë të madhe qëndrueshmërie, dhe sot ne kemi mundësi të përgatitemi për remonte të mëdha të planifikuara. Punime mirëmbajtjeje kryhen gjatë gjithë kohës, gjithçka që kërkohet nga statusi i anijes. Sot gjithçka ecën normalisht, presim vizitorë”,- deklaroi drejtori i Muzeut Qendror të FUD-it, Andrej Ljalin.

 

Riparimi i përgjithshëm i “Aurorës”, rikonstruksioni i saj u krye në vitet 1984-87, dhe një çerek shekulli pas kësaj “Aurorës” nuk i është bërë remont teknik. Për 25 vjet çdo makinë shndërrohet në një grumbull metali skrap. Nuk dua të përhap panik dhe të them se tek “Aurora” situata është e vështirë, por të gjitha rekomandimet dhe dokumentet që kanë të bëjnë me këtë anije, rekomandonin që të paktën një herë në pesëmbëdhjetë vjet t’i bëhet dokimi

Klubi petërburgas i marinarëve nënujës synon kthimin e “Aurorës” në përbërje të flotës ushtarake-detare si anije ndihmëse me ekuipazh me marinarë të dalë në rezervë, për ta përdorur kryqëzorin si anije mësimore. Për këtë nismë flet presidenti i klubit, Igor Kurdin: “Anije të ngjashme me “Aurorën” ka shumë në botë. Për shembull, kryqëzori britanik "Belfast", që qëndron në një bankinë në lumin e Temz-it (Thames) në Londër. Por të gjitha këto mjete lundruese janë anije me histori të lavdishme, eksponate muzeore.

Kemi propozuar që “Aurora” të lihet në përbërje të flotës ushtarake-detare dhe të bëhet anije model, anije e vërtetë. Nuk ka rëndësi nëse anija do të qëndrojë e ankoruar përjetësisht, por të jetë një anije e tillë, në të cilën do të shërbejnë marinarë dhe rekrutë, që stërviten para se të dërgohen si efektivë në flotë, si dhe kursantë institucionesh mësimore të detarisë, madje dhe kursantë kolegjesh dhe universitetesh të detarisë. Me këtë rast “Aurora”, natyrisht, do të mbetet përmendore.

Jo monument i revolucionit (kryqëzori prej kohësh tashmë për shumicën e petërburgasve nuk kujtohet për revolucionin e Tetorit, por për historinë luftarake të vendit), por monument i historisë së flotës. Kam përpara statutin e anijes dhe sipas këtij dokumenti flamuri i FUD-it mbi anijet e rangut të parë ngrihet, vetëm nëse ato janë në përbërje të flotës, në eksponatet muzeore ndalohet të ngrihen. Dhe si rezultat i kësaj sot, për herë të parë në historinë e “Aurorës”, në anije nuk është ngritur flamuri zyrtar i FUD-it dhe flamuri i bashit. Te shkalla e “Aurorës” nuk ka rojë marinarësh. Janë tejet të pakuptueshme të gjitha ato që po ndodhin me “Aurorën” dy vitet e fundit, pasi u vendos për nxjerrjen e saj nga përbërja e flotës ushtarake-detare”.

Me sa duket “Aurora” ka qenë me njëfarë statusi të përkohshëm – tashmë nuk është anije e FUD-it, ende nuk është muze – dhe kryqëzori ekziston në regjimin e disa vendimeve të përkohshme, të cilat i marrin herë ministri i mbrojtjes, herë komanda e FUD-it e Petërburgut?

Gjatë dy viteve mund të përcaktohej se ç’do të bëhej me statusin e anijes: a do të kthehej në përbërje të flotës ushtarake-detare, apo do të bëhej objekt muzeor. Unë mund t’ju sjell një shembull të mrekullueshëm pozitiv. Ç’qëndrim mbahet ndaj anijeve të tilla, që ndodhen në inventarin e Muzeut të oqeanit botëror në Kaliningrad, nën udhëheqjen e Svjetllana Sivkovës? Kjo grua shtatvogël arriti të krijojë një flotë të tërë muzeore! Meqë ra fjala, akullthyesja “Krasin”, që qëndronte në Shën Petërburg, është filial i muzeut të saj, Muzeut të oqeanit botëror.

 “Aurora” është unike dhe për faktin se kjo anije nuk qëndron mbi një themel betoni, sikurse mendojnë shumë veta, kjo anije është në ujë, kjo gjë e dallon mes të gjitha objekteve muzeore. Në kryqëzor ka dizel-gjeneratorë në funksion, dhe sistem të furnizimit me energji elektrike, mbrojtjes nga zjarri, rrjete kabllore, dhe ato dikush duhet t’i vejë në shfrytëzim dhe ai duhet të jetë vetëm profesionist. Prandaj ne themi: “Aurorës” i nevojitet ekuipazh, nuk mund ta shërbejë firma sha “Sllavjanka”, e cila e ka kthyer “Aurorën” në qytezë ushtarake dhe kaq.

Cila është gjendja teknike e anijes?

Ka një koncept të tillë në flotë: “furnizim me materiale prapavije”. Për shembull, bojë grunti për anije, me të cilën lyhet bordi. “Aurora” tashmë prej dy vjetësh, pasi humbi statusin e anijes së FUD-it, nuk është lyer, sepse në muze nuk ka bojë të tillë, e ka vetëm flota ushtarake. Por më e kryesorja: riparimi i përgjithshëm i “Aurorës”, rikonstruksioni i saj u krye në vitet 1984-87, dhe një çerek shekulli pas kësaj “Aurorës” nuk i është bërë remont teknik.

Për 25 vjet çdo makinë shndërrohet në një grumbull metali skrap. Nuk dua të përhap panik dhe të them se tek “Aurora” situata është e vështirë, por të gjitha rekomandimet dhe dokumentet që kanë të bëjnë me këtë anije, rekomandonin që të paktën një herë në pesëmbëdhjetë vjet t’i bëhet dokimi. Në kryqëzor ka një armaturë efektive jashtë bordit. Në vend të muzeut në këtë periudhë kalimtare, gjatë dy viteve, do të kërkoja nga flota ushtarake-detare të bënte një kontroll të “Aurorës” dhe në bazë të tij, të kryente remontin përkatës.

Kjo nuk është bërë. Tani flasin për njëfarë programi shtetëror, “ne po mblidhemi dhe do të vendosim…” etj. etj, por të gjitha këto janë plane dhe skema. Sot “Aurora” është një anije e braktisur nga ushtarakët, të cilën ende nuk e kanë marrë në dorëzim muzeologët, është anije-fantazmë pa flamur bashi dhe pa flamurin zyrtar të FUD-it.