Një aksident i rëndë ndodhi mëngjesin e së enjtes në Ascoli të Italisë. Një autobus me turistë nga Maqedonia e Veriut dhe dy kamionë u përplasën ndërkohë që ndodheshin në një tunel të autostradës A14, duke bërë që njëri prej kamionëve që transportonte pije alkoolike, të shpërthente në flakë.

Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane dhe ato maqedonase, nga ngjarja humbi jetën shoferi i autobusit. Ndërsa të plagosur, pa rrezik për jetën, mbetën 12 pasagjerët nga Maqedonia e Veriut që ndodheshin në autobus.

“Në aksidentin e trafikut në vendngjarje ka ndërruar jetë shoferi R.I shtetas i RMV-së, kurse lëndime të lehta kanë marrë 12 udhëtarë po ashtu shtetas të RMV-së”, tha në një deklaratë për mediat, ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut.

Të plagosurit u dërguan në spitalet përreth për ndihmë mjekësore, ndërkohë që autoritetet italiane nisën hetimet për të zbardhur rrethanat e këtij aksidenti.