Kaos në drejtorinë e Regjistrimit të Automjeteve. Nëse halli do t’iu çojë të trokisni në dyert e saj duhet të jeni të përgatitur të përballeni me një varg problemesh dhe mungesash, që do t’ju acarojnë, do t’iu humbin kohë dhe nuk do t’iu zgjidhin punë.  

Kishte rreth shtatë vjet që në këtë drejtori nuk konstatohej një situatë e tillë. Prej më shumë se katër muajsh nuk ka letër për leje qarkullimi ndërkombëtare, çertifikatë pronësie për automjetet madje në tre ditët e ardhshme qytetarët që do duan të pajisin mjetin e tyre me targa nuk do mund t’i gjejnë dot.

Një situatë e pazakontë kaosi ka përfshirë Drejtorinë e Prodhimit të Targave në Durrës, e cila ka detyrim ligjor shpërndarjen e targave në 12 qarqe të vendit. Kjo drejtori e veçantë, por në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme Të Transportit Rrugor ka katër muaj që nuk prodhon as 10% të 200 artikujve të domosdoshëm për shërbimin ndaj automjeteve.

Para drejtorisë së Rregjistrimit të Automjeteve gjen në çdo kohë qytetarë, të cilët janë në pritje të pajisjes me leje qarkullimi ndërkombëtare. Ajo që të habit më shumë është fakti se mungojnë edhe formularët me logon e drejtorisë. Nëpunësit e drejtorisë së përgjithshme të Prodhimit të Targave dhe Dokumentacionit thonë se një situatë e tilë ka vite që nuk regjistrohet.

Amullia është krijuar për shkak të mos realizimit të tenderave për targat metalike dhe dokumentacionin. Dy herë ka dështuar tenderi i targave, ndërsa vetëm herën e tretë është bërë e mundur shpallja e fituesit të tij. Nga informacionet që “Dyrrah” ka siguruar rezulton se prej së hënës në Tiranë nuk do të ketë më targa mjetesh, për qytetarët që i nisin këto procedura nga fillimi, por edhe për ata që janë në procedurë të ndërrimit të targave të vjetra me ato të reja. 

Në drejtorinë e Rregjistrimit të Mjeteve në Durrës ka targa edhe për 3 ditë. Prej më shumë se katër muajsh nuk ka letër për leje qarkullimi ndërkombëtare, çertifikatë pronësie për automjetet, patentë ndërkombëtare etj. Tenderi për përzgjedhjen e firmës fituese ka dështuar dy herë me rradhë

Në drejtorinë e Rregjistrimit të Mjeteve në Durrës ka targa edhe për 3 ditë, pasi në total pranë këtij institucioni janë ende edhe 200 targa, 50 prej të cilave do të mbahen në rast emergjence për shërbimin diplomatik apo persona të rëndësisë së veçantë. Burimet saktësuan se 140 targat e fundit janë dhënë ditën e premte për personat që kanë kryer procedurat, ndërsa prej fillimit të kësaj jave, puna pritet të ndërpritet plotësisht.

Në Durrës, mesatarisht çdo ditë rregjistrojnë automjetet për t’i pajisur me targa të reja 50 deri në 70 qytetarë dhe me një llogari të shkurtër matematikore del në përfundimin se targa do të ketë deri ditën e mërkurë. Shqetësimi është ngritur edhe nga drejtori Neritan Golja, i cili tha se me këtë numër kërkesash për targime të reja, e afërt është dita që targat të mbarohen e për pasojë ky shërbim do të bllokohet. “Tenderi duhet zhvilluar patjetër. Ne në Durrës kemi fatin e mirë që drejtorinë e prodhimit të targave e kemi shumë afër dhe kemi ende një rezervë disa ditore, por problematike paraqitet situata në drejtim të lejeve ndërkombëtare të qarkullimit dhe dokumenteve të tjera të nevojshme për drejtuesit e automjeteve”,- tha Golja.

Kola: Presim të nisim punën

I kontaktuar nga “Dyrrah”, drejtori i ndërmarrjes së Prodhimit të Targave dhe Shtypshkrimeve tha se situata është problematike dhe gjithçka ka ardhur si pasojë e mosbërjes së tenderave apo dështimit të tyre, për disa herë me radhë. Asllan Gjeta tha se janë mbyllur procedurat e tenderimit dhe firmat fituese duhet të nisin punën sa më shpejt për të mos paralizuar këtë sektor. “Tenderat zhvillohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor dhe tani kanë përfunduar, kontratat janë lidhur, prandaj firmat duhet të kishin sjellë materialet në shtypshkronjë”,- deklaroi nga ana e tij drejtori i financës së këtij institucioni Halit Kola. 

Z. Kola ka një problem që po mbartet prej katër muajsh në këtë drejtori, nga e cila varen gjithë drejtoritë e tjera në mbarë vendin. Pse është shkaktuar një situatë e tillë?

Në fakt tani është realizuar tenderi në Drejtorinë e Përgjithshme për letrën kimike dhe kartonin, prandaj pritet lëvrimi i mallit nga firma fituese. Kontrata është lidhur, por materialet merren jashtë shtetit. Administrimi i kësaj sasie që ka qënë me pakicë deri në mbërritjen e sasisë tjetër. Problem qëndron në faktin se tenderi dështoi dy herë në drejtorinë e përgjithshme të Regjistrimit të Automjeteve. Ndërkohë ecuria e targimit të mjeteve është në varësi të kërkesave të paraqitura në qytetarët.

A jeni në dijeni që sasia e targave ka përfunduar në Tiranë dhe në Fier, ndërsa për Durrësin ka mbetur vetëm një numër i limituar? 

Ne jemi 300 palë targa në këtë moment që flasim. Sipas sasisë që është do të bëhet shpërndarja për rrethet, përfshirë këtu Tiranën dhe Durrësin. Ne nuk kemi patur probleme të tilla më parë. Tenderi për kartonin jeshil, lejen e qarkullimit ndërkombëtar dhe patentën ndërkombëtare ka element sigurie dhe është i vështirë për t’u realizuar tenderi.

Çfarë prodhohet në shtypshkronjën shtetërore?

Këtu prodhohet i gjithë dokumentacioni për mjetet e transportit. Janë rreth 200 artikuj, rregjistra, dosje shënimesh të drejtorive rajonale, artikuj të thjeshtë të transportit etj. Mangësi vumë re në dy artikujt kryesorë; patentë ndërkombëtare dhe çertifikatë pronësie për shkak të kërkesës së lartë nga ana e qytetarëve që lëvizin jashtë shtetit. I rëndësishëm është fakti se tenderat u zhvilluan dhe ne presim lëvrimin e mallit.

Pse dështoi dy herë rradhazi tenderi?

Tenderat zhvillohen në drejtorinë e Tiranës, pavarësisht se ne jemi drejtori e përgjithshme për të gjithë vendin, për prodhimin e dokumentacionit dhe targave. Drejtoria jonë ka hartuar kërkesën për lëndë të parë në bazë të një projektplani. Të gjitha kërkesat edhe për shtypshkrimet edhe për targat ne i llogarisim se përsa sasi lëndë të parë kemi nevojë. Kërkesa i është drejtuar drejtorisë së përgjithshme, sepse lënda e parë vjen nga jashtë. Për të shmangur situatat e rënda duhet që menjëherë pas mbërritjes së lëndës së parë të punohet edhe në fundjavë për të prodhuar dokumentat dhe targat metalike. Puna duhet të vijojë deri në orët e vona të natës për të plotësuar nevojat e qytetarëve.

Neritan Golja: Tenderi duhet zhvilluar patjetër. Ne në Durrës kemi fatin e mirë që drejtorinë e prodhimit të targave e kemi shumë afër dhe kemi ende një rezervë disa ditore, por problematike paraqitet situata në drejtim të lejeve ndërkombëtare të qarkullimit dhe dokumenteve të tjera të nevojshme për drejtuesit e automjeteve

Asllan Gjeta: Situata është problematike dhe gjithçka ka ardhur si pasojë e mosbërjes së tenderave apo dështimit të tyre, për disa herë me radhë. Tani janë mbyllur procedurat e tenderimit dhe firmat fituese duhet të nisin punën sa më shpejt për të mos paralizuar këtë sektor, pasi dhe kërkesat e paraqitura janë të shumta

Halit Kola: Tenderat zhvillohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor dhe tani kanë përfunduar, kontratat janë lidhur, prandaj firmat duhet të kishin sjellë materialet në shtypshkronjë. Për të shmangur situatat e rënda duhet që menjëherë pas mbërritjes së lëndës së parë të punohet pa ndërprerje edhe në fundjavë

Ngjyra e sporteleve mban peng sallën

Një tjetër problematikë që qytetarët e Durrësit po vuajnë këto ditë si pasojë e burokracive nga drejtoria e përgjithshme e Regjistrimit të Automjeteve është mos`hapja e sallës së rregjistrimit të makinave dhe taksave. Tashmë kanë kaluar plot 30 ditë nga rikonstruksioni i saj. Burime pranë kësaj drejtorie bënë të ditur se rikonstruksioni ka përfunduar, por drejtori i përgjithshëm Arben Pinari ka kërkuar pas rikonstrusionit me vlerë 450 mijë, që ngjyra e të gjitha sporteleve të jetë blu. Gjithsesi kjo nuk ka qenë kërkesë e bërë para rikonstrusionit të saj. Në këto kushte, të gjithë qytetarët dhe shoferët janë të detyruar që këto shërbime t’i marrin në katin e parë të godinës së drejtorisë së Durrësit. Burimet zyrtare thanë se vetëm pasi puna përfundoi dhe u montuan sportelet e reja ngjyrë pana u kërkua nga drejtoria që ato të zëvendësoheshin me sportele ngjyrë blu. Absurde apo jo salla qëndron e mbyllur për shkak të ngjyrës së sporteleve, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të qytetarëve tek drejtori i Durrësit dhe nga ky i fundit në drejtorinë e përgjithshme. Kjo e fundit nuk zhbllokon fondin për punimet e kryera derisa të përfundojë procesi i ndryshimit të ngjyrës së sporteleve. Praktika të tilla burokratike kur tenderat nuk zhvillohen në kohë, ku sallat qëndrojnë të mbyllura për ngjyrën e sporteleve, apo të tjera absurditete të këtij lloji rëndojnë mbi supet e qytetarëve durrsakë.