Një ditë pas krimit në Pogradec, autori ka pranuar se ka qenë ai që e ka ekzekutuar me armë 17-vjecarin Fabio Hilën.

Autori Fabian Muçllari ka treguar detaje nga gjithë sa ndodhi dje në një lokal në Pogradec, finalizuar me vdekjen e adoleshentit.

Burime për “Panorama” bëjnë me dije se ai ka thënë se armën e krimit e mbante të groposur në një vend jashtë shtëpisë dhe dje, pas sherrit e nxori që aty dhe e mori me vete.

Ai tregon se me Fabion ishin zënë për një femër në “Facebook” dhe më pas edhe në telefon. Sherri i fundit ishte bërë në telefon, ku u shanë me fjalë fyese.

“Mora armën dhe shkova i vetëm në lokalin ku ishte ai dhe e vrava”, ka thënë autori.

Por “abcnews” shkruan se autori kishte marrë hak pasi doli nga koma.

Adoleshentët ishin rrahur dy muaj më parë dhe autori i djeshëm kishte përfunduar në spital në Tiranë. Autori i vrasjes së Fabio Hiles ka qenë i shtruar në spitalin e Traumës në Tirane për shkak të një plage në kokë pas sherrit dy muaj më parë me viktimën e së martës.

Ditët e para Fabian Muçllari ra në koma, por më pas gjendja e tij erdhi në përmirësim. Dy të rinjtë ishin zënë për një vajzë në ambientet jashtë një diskoje në Pogradec. Atë kohë Fabio i kërkoi 18-vjeçarit nga Verdova të mos i ngacmonte kushërirën e tij në “Facebook”.

Kërcënimet u pasuan edhe me goditje me dru në kokë dhe Muçllari përfundoi në spital.

Policia nuk e regjistroi këtë ngjarje, e cila do të pasohej me hakmarrjen e frikshme të martën në qendër të qytetit të Pogradecit.