Avioni që është ulur sot në Ishëm, nuk ka pasur leje për të qarkulluar në territorin shqiptar, bëri me dije Aviacioni Civil.

Sipas Ministrisë së Transportove, leja kërkohet 48 orë përpara duke paraqitur dokumentacionin e nevojshëm.

Avioni  i përmasave të vogla, u ul mëngjesin e sotëm rreth orës 08:45 në afërsi të Ishmit, për shkak se sipas dëshmisë së pilotit, kishte pësuar një defekt.

Avioni drejtohej nga një pilot italian 69-vjeçar, dhe sipas policisë, nuk kishte ndonjë send të jashtëligjshëm në të.

Ishte deputeti i PD-së Flamur Noka, ai që denoncoi i pari nga salla e Kuvendit, rrëzimin e një avioni në Ishëm. Sipas Nokës, avioni ishte rrëzuar dhe ishte i ngarkuar me drogë. Por policia e Durrësit e hodhi poshtë një ngjarje të tillë, duke deklaruar se në avion nuk ishte gjetur asnjë send i kundraligjshëm.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 08:45, Policia e Durrësit ka marrë një njoftim se në fshatin Gotull, Njësia Administrative Ishëm është parë të ulet një avion i përmasave të vogla.

Menjëherë është shkuar në vendin e ngjarjes ku është konstatuar i dëmtuar gjatë uljes një avion i përmasave të vogla, ndërsa Piloti nuk kishte pesuar lëndime gjatë uljes. Piloti i avionit është një shtetas italin, Guido Andrea Guidi, 69 vjeç.

Në shpjegimet e para që jep ky shtetas thotë se është ngritur nga Bari dhe ka dashur të bëjë një udhëtim me destinacion veriun e Italisë. Për shkak të kohës së bukur ka vendosur të kryejë një fluturim mbi det. Në lartësinë 4 000-5 000 këmbë ky shtetas deklaron se i ka dhënë defekt avioni. Ka parë nga lartësia një tokë arë të punuar, të cilën e ka konsideruar vendin më të përshtatshëm për t’u ulur. Është përpjekur të ulet dhe gjatë uljes avioni ka pësuar dëmtime.

Piloti është shoqëruar në Spitalin Rajonal Durrës për një kontroll mjekësor, megjithëse nuk ka pësuar dëmtime. Është njoftuar Prokurori i gatshëm. Gjate kontrollit në brendësi të avionit nuk është gjetur asnjë send i kundraligjshëm.

Të gjitha Shërbimet kanë kryer krehjen e vendit ku është gjetur avioni dhe zonës përrreth. Policia po punon për zbardhjen e plotë të  rrethanave  e rastit në fjalë.