Pas deklaratës në Kuvend të Flamur Nokës për rënien e një avioni me drogë në Ishëm, policia ka konfirmuar uljen e detyruar të një avioni të vogël dhe ka marrë menjëherë në pyetje pilotin.

69-vjeçari italian ka dëshmuar para policisë së Durrësit se ka qenë i detyruar të ulte avionin, pasi kishte pësuar një avari dhe toka arë ku ka bë uljen i është dukur si më e përshtatshmja. Ndërkohë mësohet se kur është bërë kontrolli avioni ka qenë bosh, ndësa policia vijon hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota. 

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 08:45, Policia e Durrësit ka marrë një njoftim se në fshatin Gotull, Njësia Administrative Ishëm është parë të ulet një avion i përmasave të vogla.

Menjëherë është shkuar në vendin e ngjarjes ku është konstatuar i dëmtuar gjatë uljes një avion i përmasave të vogla, ndërsa Piloti nuk kishte pesuar lëndime gjatë uljes. Piloti i avionit është një shtetas italin, Guido Andrea Guidi, 69 vjeç.

Në shpjegimet e para që jep ky shtetas thotë se është ngritur nga Bari dhe ka dashur të bëjë një udhëtim me destinacion veriun e Italisë. Për shkak të kohës së bukur ka vendosur të kryejë një fluturim mbi det. Në lartësinë 4 000-5 000 këmbë ky shtetas deklaron se i ka dhënë defekt avioni. Ka parë nga lartësia një tokë arë të punuar, të cilën e ka konsideruar vendin më të përshtatshëm për t’u ulur. Është përpjekur të ulet dhe gjatë uljes avioni ka pësuar dëmtime.

Piloti është shoqëruar në Spitalin Rajonal Durrës për një kontroll mjekësor, megjithëse nuk ka pësuar dëmtime. Është njoftuar Prokurori i gatshëm. Gjate kontrollit në brendësi të avionit nuk është gjetur asnjë send i kundraligjshëm.

Të gjitha Shërbimet kanë kryer krehjen e vendit ku është gjetur avioni dhe zonës përrreth. Policia po punon për zbardhjen e plotë të  rrethanave  e rastit në fjalë.