Partia Demokratike ka përcjellë me shqetësim hetimin në gjendje të lirë për pilotin italian Guido Andrea Guidi, avioni i të cilit u rrëzua një ditë më parë në Ishëm të Durrësit.
Në një deklaratë për shtyp të PD-së, theksohet se hetimi është dekonspiruar nga ministri i Brendshëm, për t’u dhënë sipas opozitës, kohë dhe mundësi trafikantëve shqiptarë që kanë porositur avionin që të mbrohen e t’i shpëtojnë ligjit.
Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të marrë masa të shpejta dhe energjike ndaj çdo personi me pushtet që sipas selisë blu dekonspiroi hetimin.
Deklarata e PD-së:
“Partia Demokratike shpreh shqetësimin e thellë për dekonspirimin nga Ministri i Brendshëm të hetimit që po bëhet ndaj pilotit italian, të kapur sot në Ishëm. Ky dekonspirim qeveritar bëhet me qëllim për t’u dhënë kohë dhe mundësi trafikantëve shqiptarë që kanë porositur avionin që të mbrohen e t’i shpëtojnë ligjit. Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të marrë masa të shpejta dhe energjike ndaj çdo personi me pushtet që dekonspiroi hetimin”.





