Intervistoi Mila Ballhysa
“Konceptimi i projektit të portit të ri të mallrave do të sillte detyrimisht shndërrimin e portit të Durrësit në turistik dhe jo anasjelltas.”
Kështu deklaron avokati për çështjet detare Dorian Mersini në një intervistë për DurrësLajm lidhur me projektin për transformimin e portit në port turistik dhe zhvendosjen e portit të mallrave drejt Porto-Romanos. Duke vlerësuar kapacitetet përpunuese të portit, volumin e mallrave, faktin që është i vetmi port në vend me infrastrukturën dhe logjistikën e nevojshme për përpunimin e kontejnerëve dhe mallrave rifuxho, Mersini nënvizon se strukturat shtetërore duhet të zbardhin paraprakisht projektin për portin e ri në Porto-Romano dhe studimin e fizibilitetit të tij dhe më pas të avancohet me destinacionin e portit aktual për turizëm.
Shndërrimin e portit më të madh në vend në port turistik, Mersini e vlerëson pozitivisht, pasi kjo është në përputhje edhe me direktivat e BE-së.
“Ndërtimi i një porti turistik brenda qytetit me të gjitha facilitetet e nevojshme si furnizimi me karburant, kantieret, magazinimi etj është një domosdoshmëri, që nëse nuk do të realizohet tani, do të realizohet patjetër vitet e ardhshme, sepse është kërkesë e kohës.” – thotë ai.
Si një njohës i mirë i industrisë detare të luksit, avokati thotë se nëse porti turistik do të destinohet për turizmin elitar, duhet të hartohen strategji për thithjen e klientelës që aktualisht ka për destinacion portet turistike të vendeve të rajonit.
“Turizmi elitar nuk nënkupton vetëm ankorimin e jahteve e krocerave në port, por duhet t’i bëjmë turistët që të qëndrojnë sa më gjatë në vendin tonë. Nëse porti i Durrësit do të projektohet për turizmin elitar, kjo duhet të shoqërohet me krijimin e një infrastrukture dhe standarti shërbimesh, që fatkeqësisht Shqipëria tani për tani nuk e ofron” – deklaron ai.
Megjithëse në vendin tonë, por edhe në Durrës janë përfolur disa projekte për ndërtimin e porteve turistike asnjë prej tyre nuk është finalizuar deri tani. Për Mersinin kjo shpjegohet me faktin se ndërtimi i portit turistik duhet të përkojë me zhvillimin e infrastrukturës, sektorit imobiliar dhe shërbimeve drejt turizmit elitar.
“Ende sot, pas 30 vitesh, nuk kemi një port turistik dhe kjo vjen për shkak se kemi dashur t’i krijojmë ata nga zeroja” – thotë ai.
Ministrja Balluku ka prezantuar para disa ditësh projektin për shndërrimin e portit të Durrësit në port turistik. Me aq sa jeni njohur me projektin, si ju duket?
Ideja është interesante, sepse porti i Durrësit është brenda qytetit. Direktivat e BE-së nuk lejojnë që portet tregtare të jenë brenda qytetit për shkak të nivelit të ndotjes dhe problemeve të logjistikës përsa i përket transportit intermodal (mungesës së hapësirave për zhvillimin e mëtejshëm të portit). I parë në këtë prizëm ky projekt është mjaft interesant. Ndërtimi i një porti turistik brenda qytetit me të gjitha facilitetet e nevojshme si furnizimi me karburant, kantieret, magazinimi etj është një domosdoshmëri, që nëse nuk do të realizohet tani, do të realizohet patjetër vitet e ardhshme, sepse është kërkesë e kohës.
Në 15 vitet e fundit është folur shpesh për ndërtimin e një porti turistik në Durrës, por projektet kanë mbetur në sirtar. Mendoni se mund të realizohet ky projekt, një investim rreth 2 miliardë euro?
Portet nuk ndërtohen aty ku natyra nuk i lejon, sepse në të kundërt investimi për infrastrukturën portuale do të jetë mjaft i lartë, gjë që nuk do të justifikonte fizibilitetin e vetë projektit. Një gjë tjetër që duhet të merret në konsideratë është që nëse portet turistike nuk kanë hapësira për zhvillimin e industrisë së ndërtimit dhe sektorit imobiliar nuk vlerësohen si projekte interesante. Duke marrë parasysh këto faktorë, shndërrimi i portit tregtar në port turistik është lehtësisht i realizueshëm, sepse infrastruktura është e gatshme, duhet thjesht të përshtatet me kërkesat e sektorit të nautikës. Tek ky projekt nuk flitet vetëm për krocerat dhe jahtet, por edhe për transportin e pasagjerëve, pra një “green port”, në harmoni me mjedisin dhe që respekton standartet evropiane për ndotjet mjedisore.
Ndërsa ministrja Balluku foli për shndërrimin e portit në turistik, por nuk dha thuajse aspak detaje lidhur me projektin për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto- Romano…
Në portin e Durrësit përpunohen mbi 60% e totalit të mallrave që eksportohen apo importohen në vend. Përpara se të projektohet porti i Durrësit si port turistik duket projektuar porti alternativ po në brendësi të Durrësit. Nëse ky projekt nuk garanton sukses, nuk mund t’i hiqet qytetit porti më i madh i vendit. Paralelisht me konceptimin e portit turistik duhet të flitet për zhvillimin e një porti mallrash, kontejnerësh etj. Para se të konceptojmë portin turistik që është luks për vendin, duhet të mendojmë për mbulimin e këtij vakuumi që do të krijohet nga shndërrimi i portit. Kushdo që merr iniciativa të flasë për portin turistik të Durrësit duhet të japë shpjegime të hollësishme lidhur me çfarë do të ndodhë me kapacitetet përpunuese portuale. Njëkohësisht duhet të zbardhen projektet që po bëhen për Porto-Romanon, sa e lidhur nga ana infrastrukturore është kjo zonë, çfarë aksesi do të ketë ky port me pjesën tjetër të infrastrukturës rrugore, hekurudhore etj. Konceptimi i projektit të portit të ri të mallrave do të sillte detyrimisht shndërrimin e portit të Durrësit në turistik dhe jo anasjelltas.
Nëse shndërrohet në port turistik sa konkurues mund të jetë Durrësi me portet e tjera të ngjashme në rajon, që e kanë sektorin e turizmit më të konsoliduar sesa ne?
Turizmi elitar nuk nënkupton vetëm ankorimin e jahteve e krocerave në port. Ai shoqërohet me një kulturë të përgjithshme shërbimesh që i ofrohet këtij target grupi turistësh, rend dhe siguri publike, turizëm kulturor etj për t’i bërë të qëndrojnë sa më gjatë në vendin tonë. Nëse ndërtojmë strategjinë e duhur mund të bëhemi brenda disa vitesh kompetitivë me vendet e rajonit.
Dimensionet aktuale të basenit, thellësia e tij etj sa e bëjnë portin aktual të përshtatshëm për t’u transformuar në port turistik?
Një port turistik që është multidimensional, pra jo vetëm për jahtet, por edhe për transportin e pasagjerëve mund të zhvillohet shumë mirë në portin e Durrësit, pasi thellësia e tij e lejon zhvillimin e këtij sektori pa kufizime përsa i përket këtyre mjeteve. Madhësia e portit çalon pak, por nga momenti që kemi thellësinë e duhur, në Durrës mund të hyjnë edhe krocerat e mëdha. Për këtë arsye, porti i Durrësit nëse do të fokusohet vetëm në sektorin e turizmit dhe transportit të pasagjerëve do të jetë një destinacion atraktiv, sepse lejon akses shumë të shpejtë brenda qytetit.
Prej vitesh ju jeni angazhuar në industrinë e mjeteve detare të luksit. Numri i turistëve, kroçerave, jahteve etj që kanë vizituar portin më të madh në vend vitet e fundit a e justifikon këtë investim gjigand?
Statistikat e viteve të fundit kanë ardhur përherë në rritje, porti i Durrësit ka nisur të preket gjithnjë e më shumë nga mjetet detare luksoze, kroçera, jahte etj. Tani për tani këto mjete nuk gjejnë ambientin komod përsa i përket jo vetëm shërbimeve por edhe faciliteteve të tjera për të qëndruar gjatë në port. Shndërrimi në port turistik do të përkonte me rritjen e kapaciteteve përpunuese për mjetet turistike dhe do ta bënte qytetin shumë më atraktiv përsa i përket turizmit kulturor, kulinarisë etj. Kompanitë apo korporatat që do të shprehin interes për portin turistik do të jenë ato që do ta menaxhojnë dhe do të jenë po ato që do të realizojnë transferimin e gjithë klientelës së tyre apo të klientelës ku kanë akses drejt portit tonë. Portet e Malit të Zi nuk u konceptuan sepse numri i jahteve kishte ardhur në rritje, por pikërisht për të rritur numrin e jahteve. Nëse porti i Durrësit do të projektohet për turizmin elitar, kjo duhet të shoqërohet me krijimin e një infrastrukture dhe standarti shërbimesh, që fatkeqësisht Shqipëria nuk e ofron.
Në gjithë këto vite, Durrësi ka humbur shumë nga mungesa e një porti turistik. A nuk do të ishte më mirë të ndërtohej një port me një investim shumë herë më të vogël, por që mund të bëhej shumë shpejt funksional?
Të gjitha projektet për portet turistike në Shqipëri kanë dështuar për shkak të mungesës së studimit të fizibilitetit. Përpara se të flasim për projekt i madh apo i vogël, duhet të flasim për destinacionin e projektit, për çfarë klientele po ndërtohet. Nëse do të ndërtojmë një port për klientelën vendase, nevojitet një port i vogël, që ka target grup një ekonomi mesatare. Nëse e konceptojmë për të përthithur klientelën që tashmë akseson Malin e Zi, Kroacinë, Greqinë apo Italinë, një projekt i vogël nuk do të ishte kompetitiv. Ende sot, pas 30 vitesh, nuk kemi një port turistik dhe kjo vjen për shkak se kemi dashur t’i krijojmë ata nga zeroja. Krijimi i një porti turistik nga zero duhet të përkojë me zhvillimin e infrastrukturës, sektorit imobiliar dhe shërbimeve drejt turizmit elitar.