Policia ka dhënë detaje nga vdekja e avokatit Gjovalin Ulndreaj, i cili ndërroi jetë në spital pasi humbi ndjenjat në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Blutë informojnë se gjatë ditës së djeshme, 28 janar, avokati ka humbur ndjenjat gjatë seancës gjyqësore në Apel dhe është dërguar në spital.

Por, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve 59-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë duke humbur jetën.

Sipas policisë, nga veprimet e para hetimore dyshohet se vdekja është shkaktuar nga arresti kardio-respirator.

“Më datë 28.01.2025, në ambientet e Gjykatës së Apelit, Tiranë, gjatë një seance gjyqësore, ka humbur ndjenjat shtetasi Gj. U., 59 vjeç, avokati, i cili është dërguar në spital, por pavarërisht ndërhyrjes së mjekëve, ka humbur jetën. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se vdekja është shkaktuar nga arresti kardio-respirator”, informojnë blutë e Tiranës.

Avokati Gjovalin Ulndreaj deri në vitin 2003 ka ushtruar detyrën e oficerit të Policisë, ndërsa prej rreth 22 vitesh i shërbeu dhe sistemit të avokaturës i lincesuar pranë Dhomës së Avokatisë Shkodër.

Në vitin 2020, Gjovalin Ulndreaj kandidoi për drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, krahas Ibrahim Dishës, Artan Shkëmbit, Adriatik Agos dhe Sabri Hoxhës.