Një udhëtim që nisi me gëzim, për të festuar dashurinë dhe fejesën, përfundoi në një tragjedi që tronditi dy familje.

Trupi i pajetë i 25-vjeçares Ana Dyrmishi ka mbërritur sot nga Turqia në Durrës. E reja humbi jetën pas plagëve të rënda që mori në zjarrin tragjik të hotelit “Brooklyn”, në Lungomare të Vlorës, më 16 gusht.

Ana kishte shkuar në Vlorë së bashku me të fejuarin e saj, Arnaldo. Ishte dita e parë e një kapitulli të ri për çiftin… një ditë që duhej të kujtohej për gëzimin e tyre. Por vetëm pak orë më vonë, gjithçka u kthye në tmerr.

Ana pësoi djegie në rreth 85% të trupit. Pas trajtimit në Shqipëri, 25-vjeçarja u dërgua në Turqi, ku mjekët luftuan për ditë me radhë për jetën e saj. Por plagët ishin shumë të rënda dhe Ana nuk mundi t’ia dilte.

Edhe Arnaldo Kaçorri, i fejuari i saj, mbeti i plagosur rëndë në zjarr. Me rreth 35% të trupit të djegur, ai ndodhet në Itali, ku po vijon trajtimin mjekësor.

Në Shkozet, aty ku Ana jetonte, sot nuk ka festë. Ka vetëm dhimbje, lot dhe një lamtumirë. Familjarët, miqtë dhe të afërmit do ta përcjellin Anën sot për në banesën e fundit.

Në rrjet ka me dhjetëra komente e reagime për këtë humbje tragjike, ku të njohurit e Anës lënë mesazhet e tyre pikëlluese.

Një prej mesazheve prekëse është dhe ai i palestrës që frekuentonte Ana në qytetin e Durrësit: “Do të mbetesh gjithmonë në kujtimet tona. Me shumë trishtim i themi lamtumirë një prej klienteve tona, e cila do të kujtohet me dashuri dhe respekt nga të gjithë ne. U prehsh në paqe Ana”.