Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla theksoi se protesta kundër qeverisë po financohet edhe nga Rusia, përveç Iranit dhe vendeve fqinje, që sipas tij, nuk duan ta shohin Shqipërinë të zhvilluar në turizëm.

Në fjalën e tij në seancën e sotme në Kuvend, ndërsa jashtë godinës ishin mbledhur qytetarët, Balla pretendoi se “dorë” në protestën kundër qeverisjes së Edi Ramës ka edhe Kremlini.

Sipas tij, “qytetaria e bukur e bulevardit të flamengove” duhet të distancohet nga “dhuna e këtyre mbeturinave politike dhe sociale që kanë marrë peng protestën”.

“Kam besim se qytetaria e bukur e bulevardit të flamingove do të distancohet edhe më shumë nga dhuna e këtyre mbeturinave politike dhe sociale që kanë marrë peng protestën. Protesta nuk ka asgjë të përbashkët me këta individë kriminalë që po e përdorin protestën për qëllimet e tyre të pista, të interferencave të huaja.

Kush në Shqipëri nuk e beson dot më se këtu është dorë e huaj që sot u paguan para për të destabilizuar Shqipërinë, duhet ta kuptojë qartë se kjo është jo vetëm Irani e vende e tjera fqinje që nuk duan ta shohin Shqipërinë të zhvilluar në turizëm por edhe aktorë të tjerë përfshirë Kremlini.”, tha Balla.