Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla vijon të presë emrat që opozita do të jepë për kandidatin për President.

Në një komunikim për mediat, Balla përsëriti se deri të dielën në orën 16:00 kur do të jetë raundi i tretë i negociatave për Presidentin e ri, Partia Socialiste nuk do të propozojë asnjë emër duke i lënë radhën Partisë Demokratike.

Nuk e dija që opozita paska kërkuar ta kenë ata Presidentin ose të paktën ta kenë shprehur kaq qartazi. Unë mendoj që Presidentin nuk duhet ta ketë asnjë parti në Shqipëri. Shqipëria meriton një President Republike që të jetë mbi palët. Unë mendoj që të gjitha palët duhet ta shohin me përgjegjësi këtë proces. Të vazhdosh të fshihesh pas një copë letre, është rrëzuar ai propozim në tërësi. Ne nuk do të propozojmë emër deri të dielën në orën 16:00 me shpresën që PD do ta ushtrojë këtë të drejtë. Historia e propozimeve në ajër nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë efekt. Ne nuk kemi marrë asnjë propozim shkresor nga ana e PD. Ditët e mbetura të përdoren me përgjegjësi”, u shpreh Taulant Balla.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se Partia Socialiste ka prishur marrëveshjen për procesin e zgjedhjes së kandidatit.