Ballkani arriti një fitore sensacionale në Prishtinë duke mundur me përmbysje 4-1 BATE Borisov dhe kualifikimi për në fazën e grupeve të Conference League është më afër se kurrë.

Pas triumfit, trajneri Ilir Daja, dha në “Super Sport”përshtypjet për lojën e zhvilluar, ndërsa nuk i kurseu thumbimet për specialistët e studiove televizive.

Fitorja – “Kjo fitore i shkon Lindon Emërllahut, sepse dje është rikuperuar dhe i urojmë rikthim sa më të shpejtë. Kjo fitore shkon për tifozët e Suharekës, tifozët kosovarë. Kjo fitore shkon për këta djemë që nuk dorëzohen kurrë”.

Paraqitja – “Kemi dominuar kundërshtarin, me raste, me lojë, me gola. Kemi humbur raste, por kemi shënuar. Rezultati 4-1 në ndeshjen e parë ndaj një kundërshtari me goxha eksperiencë, sigurisht se është fitore bindëse për ekipin”.

Kritikat e specialistëve – “Sukseset e Ballkanit janë sukseset e Kosovës. Kemi shtatë ndeshje, gjashtë fitore, një humbje. Unë nuk merrem, por le të merren specialistët me një humbje se nuk po i zë gjumi në darkë”, tha Ilir Daja.