Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka denoncuar aferën me TEC e lëvizshëm, Tigrat 1 dhe Tigrat 3, për të cilat thotë se zv.kryeministrja ka shpërdorur 80 milionë euro. 

Sipas Bardhit, çdo firmë e hedhur nga Balluku ngre dyshime se ajo ka shpërdoruar paratë publike për përfitime personale. 

Ai tha gjithashtu se i ka kërkuar SPAK që të hetojë penalisht zv.kryeministren Belinda Balluku. 

“Nuk ka asnjë rast në asnjë vepër të rëndësishëm që firma e saj të mos ngrejë dyshimin e parave publike dhe përfitimin personal sipas një skemë të paracaktuar. E tillë është edhe afera  e termocentraleve të lëvizshëm Tigri 1 dhe Tigri 3 që u sollën me urgjencë për një krizë imagjinare energjitike. 

Tigrat e Ballukut dhe Ramës nuk u vendosën në punë,  duke provuar se qëllimi i tyre ishte shpërdorimi i  dyshimtë i rreth 80 mln euro dhe jo furnizimi me energji elektrike. 

Historia e termocentraleve të lëvizshëm për të cilën i kam kërkuar Prokurorisë të nisë hetimet penale për Ballukun dhe bashkëpunëtorët e saj është një histori e ngjashme me inceneratorët. 

Tigrat nuk kryejnë asnjë funksion për të cilën u shpenzuan shumë para. Afëra e TEC lëvizës bie erë korrupsion, edhe pse i kam kërkuar SPAK të kryejë hetime penale për këtë aferë që u ka marrë nga xhepat shqiptarëve të paktën 80 mln euro”,-tha Bardhi.