Ministrja e Energjisë Belinda Balluku thotë se Shqipëria renditet e para në rajon për mbështetjen ekonomike që u jep konsumatorëve për energjinë elektrike.

Gjatë fjalës së saj në Parlament, bazuar në raportin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë Elektrike, Balluku duke iu përgjigjur deputetes së PD Jorida Tabaku, u shpreh në këtë raport evidentohet fakti se 40% e konsumatorëve familjarë nuk kanë kushtet e duhura të ngrohjes së shtëpisë, dhe jo mungesës së mundësisë për të paguar faturën e energjisë elektrike.

“Të dalësh të thuash që 40% e shqiptarëve nuk kanë mundësi të paguajnë faturën e energjisë, duhet të kesh disa fakte dhe mos dalësh e të thuash atë që të kalon nga mendja. Por unë e di se në cilën pikë mbështetet parafolësja dhe kujt i referohet. Kjo shifër i referohet të muajit Gusht 2022 të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për konsumatorët në nevojë. Ky raporton përcakton se një konsumator në nevojë konsiderohet një konsumator që ka vështirësi në ngrohjen e shtëpisë, nuk flitet për pagesën e energjisë, janë dy gjëra totalisht të ndryshme.

Nuk flitet për konsumatorë të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë por flitet për konsumatorë të cilët nuk kanë kushtet e duhura të ngrohjes së shtëpisë. Shtëpi jo eficente me humbje energjetike që ka vonesa në pagesa të energjisë elektrike. Kështu thotë raporti.

Të gjitha pallatet e ndërtuara në kohën e komunizmit kanë mungesë totale të izolimit dhe si rrjedhojë kanë zero kushte të eficencës energjetike. Edhe kushtet e ngrohjes përmes kondicionerëve këta konsumatorë kanë vështirësi përsa i përket ngrohjes.

Sa i përket ndihmës dhe mbështetjes që Republika e Shqipërisë i jep konsumatorëve në nevojë, unë do t’i referohem raporit. Shqipëria jep suport financiar për familjet në nevojë për energjinë elektrike në vlerën 22 milionë e 205 mijë Euro. Ndërkohë që vendi i dytë pas Shqipërisë është Bosnje-Hercegovina me 12 milionë e 323 mijë Euro, Serbia jep mbështetje 9 milionë 762 mijë Euro, ndërkohë që Kosova jep mbështetje 4.5 milionë. Këto janë shifrat për Ballkanin Perëndimor”.

Ministrja e Energjisë Belinda Balluku theksoi gjithashtu se ndërprerje të furnizimit me energji nuk do të ketë në Shqipëri dhe çmimi nuk do të rritet për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat/orë