Qeveria është mbledhur këtë të enjte për të miratuar vendimet e radhës të Këshillit të Ministrave.

Ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjetikës, Belinda Balluku tha se për dikasterin e saj janë miratuar 5 VKM.

Ministrja tha se do të bëjnë çmos të mbrojnë familjarët nga çmimi i energjisë.

Ajo tha se ka familjarë që shpenzojnë deri në 5 mijë KW në muaj, një shifër e madhe dhe tha se në një moment të dytë, këta konsumatorë do të paguajnë me çmim më të rritur se sa qytetarët që konsumojnë energji për nevoja bazike.

“Kemi thënë që qeveria shqiptare do të bëjë çmos të mbrojë biznesin familjar. Sa i përket biznesit e lidhur me tensionin e mesëm, kemi pasur komunikim të vazhdueshëm. Kemi mbledhur ankesat dhe kërkesën e tyre për mbështetje. Do të vazhdojmë me të njëjtën skemë. Do e konsolidojmë deri në vazhdim të javës tjetër. Sa i përket planit për analizën e bërë kemi bërë analizë të thelluar. Do të aplikojmë të njëjtin çmim, por nëse fasha do të jetë deri në 800 do të bëjmë analizat e duhur, kemi evidentuar konsumatorë familjar me 5 mijë kw harxhime. Megjithatë kjo energji do të paguhet me një çmim më të lartë se sa paguhet energjia për konsumet bazike”, tha Balluku.