Pasi financuan me shuma të mëdha fushatën elektorale të 2008, bankat kryesore amerikane duket se e kanë braktisur Barak Obamën dhe i kanë ofruar mbështetje rivalit të tij Mitt Romney. Lajmi që publikohet në të përditshmen Wall Street Journal pritet të peshojë mjaft në fazën e mbetur të fushatës presidenciale. 

Goldman Sachs, JpMorgan, Citigroup, Bank of America, Morgan Stanley etj., që në 2008 përbënë për Obamën zërin e dytë në fondet e mbledhura për të këtë vit kanë dhuruar më shumë se 5 milion dollarë për rivalin republikan. Në 40 vitet e fundit, që nga koha kur kongresi krijoi sistemin e financimit të fushatave elektorale nuk ishte konstatuar një ndryshim kaq i theksuar në mbështetjen e ofruar.

Shifrat duket se flasin mjaft qartë për këtë. Nëse në vitin 2008 Goldman Sachs financoi fushatën e presidentit aktual me 1 milion dollarë, këtë vit i ka dhënë vetëm 136 mijë USD kundrejt 1.8 milion të Romneyt. JpMorgan, Citigroup, Bank of America dhe Morgan Stanley kanë sponsorizuar fushatën e Romneyt me 3.3 milion dollarë, përkundrejt 650.000 USD të derdhura në arkën e presidentit me ngjyrë.

Sipas Wall Street Journal arsyet se pse Goldman Sachs i ktheu krahët Obamës duhen kërkuar në reformën e tregjeve të vënë në zbatim nga kreu i Shtëpisë së Bardhë. Ndërkohë bankat e tjera duket se nuk e kanë gëlltitur faktin që nuk u mor opinioni i tyre para se të nisnin të aplikoheshin rregullat e reja.  Në veçanti bëhet fjalë për rregullin Volcker Rule, një masë kjo që kufizon aktivitetin spekulativ të bankave, një prej aktiviteteve më fitimprurëse për Goldman Sachs.