Bashkia e Durrësit ka reaguar për të sqaruar pozicionin e saj në lidhje me sipërfaqen e shumëpërfolur këto ditë në media.

Sipërfaqja prej 45 dynymësh, që me një vendim gjykate i kaloi shtetasit nga Durrësi Pal Seçuni, përfshihej brenda resortit turistik, të parashikuar për t’u ndërtuar në Gjirin e Lalëzit.

Bashkia e Durrësit sqaron se në kohën kur është zhvilluar gjyqi, “ngastrat pyjore nuk ishin në pronësi të Bashkisë, por i kanë kaluar kohë më vonë, konkretisht me VKM nr.433, datë 08.06.2016”.   

 

Deklarata e plotë e Bashkisë Durrës

Në lidhje me çështjen gjyqësore para Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës me palë paditëse Pal Seçuni dhe i paditur Bashkia Durrës, Avokatura e Shtetit Durrës, kërkojmë të sqarojmë opinionin publik si më poshtë:

Pyjet dhe kullotat publike janë transferuar në pronësi të bashkive (konkretisht Bashkisë Durrës) me VKM nr. 433, datë 08.06.2016. Procesi i marrjes në dorëzim të fondit pyjor sipas kësaj VKM-je akoma nuk ka përfunduar.

Procesi gjyqësor civil i diskutuar dhe i bërë publik në disa media, ka nisur më datë 16.07.2015 dhe vendimi përfundimtar i Gjykatës së Shkallës së Parë ka nr. 457datë 25.03.2016.

Pra, si gjatë gjykimit të cështjes edhe kur ka përfunduar ky gjykim civil në datën 25.03.2016, ngastrat pyjore nuk ishin në pronësi të Bashkisë Durrës, pasi ato i janë kaluar bashkisë më vonë në kohë, konkretisht me VKM nr. 433, datë 08.06.2016.