Dy ekipe durrsake në krye të renditjes së Superligës në basketboll për meshkuj pas ndeshjeve të javës së 4-t. Teuta e Goga Basket zhvilluan sot në mbrëmje në “Ramazan Njala” ndeshjen e parë derbi të Durrësit në histori, takim që u fitua nga Teuta me rezultatin 90-80. Një përballje emocionuese dhe me rivalitet, ku nuk mungoi spektakli e lufta e fortë sportive, madje edhe tensioni (4 lojtarë dolën me teknike përjashtimi).

Ndeshja ishte e hapur deri në fund, me Teutën që gjatë gjithë ndeshjes pati një epërsi të lehtë prej 4-5 pikësh, duke bërë që emri i fituesit të jetë në dilemë. Goga Basket tentoi të surprizojë Teutën, por pa sukses, pasi gaboi atëherë kur nuk duhej. Perioda e katërt është ajo që dhuroi gjithçka, emocionet e dramacitetin, tensionin e grintën, me Endrit Hysenagollin që është protagonist me 28 pikët e realizuara për Teutën.

Pas këtij takimi, të dyja ekipet ndajnë kreun me nga 5 pikë secila. Për Goga Basket kjo është humbja e parë me të rriturit, pasi vjet i fitoi të gjitha takimet në Kategorinë e Parë. Nesër do të luhet edhe sfida e fundit e kësaj jave, derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës në “Asllan Rusi”.

Në Kategorinë e Parë, skuadra e Elbasanit korri fitoren e parë sezonale, duke mundur 79-67 Apoloninë dhe hyn në garë për një vend në play out. Ndeshja u komandua nga vendasit, që ishin gjatë gjithë kohës në epërsi, ndërkohë që Apolonia e pati të pamundur të rivalizojë, duke mbyllur renditjen ende pa asnjë fitore.