Gjysmëfinalja e parë e ditës ishte sfida mes bardhebluve dhe bregdetareve. Tirana, e cila vinte si e kualifikuar automatikisht në katërshe falë renditjes në kampionat, u bë finalistja e parë e Kupës. Kryeqytetaset triumfuan bindshëm me rezultatin 78-60 në një takim ku e bënë diferencën në periodën e dytë dhe të fundit.

Takimi nisi më mirë për Teutën, teksa nën entuziazmin e minutave të para, durrsaket i çuan shifrat në 0-9 pas 2 minutave e gjysmë lojë. Por gradualisht Tirana fitoi terren dhe u afrua, me çerekun e parë që u mbyll 16-18 për bregdetaret. Kryeqytetaset ndryshuan marsh në periodën e dytë, duke e marrë atë 23-13, për të shkuar në pushim me avantazhin 39-31.

Teuta provoi të afrohej, teksa mori çerekun e tretë 16- 18, duke ngushtuar në 55-49 pas 30 minutash lojë. Megjithatë vajzat e drejtuara nga Mirza Alibegaj i mbyllën përfundimisht llogaritë, teksa dominuan periodën e katërt, duke e fituar 23- 11, për të vulosur suksesin final me +18 pikë avantazh. Vlerësimin e lojtares së ndeshjes e meritoi Liliane Ndongbwo, protagoniste me 24 pikë dhe 23 kërcime për Tiranën. Për Teutën u dalluan Jainaya Jones me 20 pikë e 10 kërcime dhe Anilyah Bryant me 20 pikë. Tirana-Partizani, do të jetë finalja e Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra.