Me 3 nëntor 2012 në mesditë, Teuta “ngacmon” parketin duke patur përballë një kundërshtar që vetëm para disa muajsh veshi kostumin e kampiones së vendit. Me largimin e trajnerit Alban Kastrati, ekipi iu dorëzua Sotiraq Mëngjesit, një ish basketbollist i brezit të dominimit të basketbollit durrsak me të rinjtë.

Një specialist i njohur me basketbollin, që prej më shumë se dy dekadash drejton pa bujë dhe me urtësi brezin e të rinjve. Është ky shkaku, që Sotiraq Mëngjesi është në drejtim të ekipit të parë, për t’i sjellë një mëngjes dhe freski joshëse basketbollit të qytetit të tij. Tërë verën e nxehtë u punua me shumë përkushtim, duke grumbulluar rreth vetes të rinj me perspektivë.

Erdhi nga Greqia Niko Thana. Po kështu rikthehet në vendlindje, shtatlarti mbi 2 metra Orjon Garo. Shpresat janë që në janar t’i bashkohet ekipit edhe Marsel Aliaj, basketbollist i ekipit përfaqësues dhe me rezidencë të përkohshme në Bolonja të Italisë. Kështu Teuta paraqet rastin më të mirë për të nisur një sezon të mbarë në këtë disiplinë sportive, ndonëse kundërshtari tejet  i fortë i ditës së parë, ishte me hemoragji të theksuar nga largimet. Në Tiranë tani janë dy ekipe basketbolli:

Shoqata Tirana Basket Meshkuj e drejtuar nga Roland Avrami dhe Klub Tirana Basket. Kështu me 3 nëntor Teuta ishte në sfidën e saj të parë. Në test ekipi dhe Mëngjesi i tyre.

“Ikanakët”

M’u në orët e fundit të sfidës përuruese të kampionatit, ekipi goditet nga një e papritur. Nën rrogoz ishte rënë në ujdi, që tri basketbollistë të Teutës (më shumë se gjysma e ekipit), të kalonin pikërisht me këtë kundërshtare të ditës së parë të durrsakëve. Natyrisht kriza e pagesave që ka mbuluar shumësportëshin durrsak, si pasojë e shqetësimeve të krijuara dhe të trajtuara edhe nga “Dyrrah” në numrin e kaluar ka ndikuar në këtë gjë dhe tre lojtarë të rinj të Teutës nuk sakrifikuan edhe pak, por ndjenë kënaqësi të ndryshonin kolorin e përfaqësimit.

Kur padurimi kishte arritur kulmin e sekondat dukeshin si minuta, kur Dodaj kishte lënë fushën e lojës, shansi u var tek duart e brishta të të riut Klodian Pergjokajt. Shënoi disa gjuajtje të lira dhe i dha shokëve ushqimin e pasionit të tij. Dhe në fund rezultati. Teuta 71 dhe rivalja e saj Shoqata Tirana Basket 68. “Ikanakët” tani u bënë të tillë, pasi shokët e tyre i bënë të largoheshin kokëulur nga “Ramazan Njala”

I ardhuri nga Greqia, Niko Thana ishte paguar vetëm në muajin gusht nga klubi Teuta, por shfrytëzoi faktin e të qenurit lojtar i lirë. Në qarqet e amatorëve durrsakë të basketbollit, ky djalosh 20 vjeçar trajtohej si një e ardhme dhe mezi pritej debutimi i tij. Ndërsa dy të tjerët janë përkundur në djepin e specialistëve vendas të basketbollit. Ata janë Klevis Isaku dhe Klejdi Luca, shtatlartë dhe lojtarë energjikë. Për fat të keq ditën e ndeshjes mungoi edhe Orjon Garo, i cili ishte i dëmtuar dhe jo i gatshëm për të luajtur.

Të tre “ikanakët” e dëmtonin dyfish ekipin që i përgatiti dhe aftësoi për lojë: së pari ulnin fuqinë konkuruese të Teutës dhe së dyti rritnin shanset për të fituar që në takimin e parë, teksa përfaqësonin me sa u pa një  ekip të sajuar ashtu shpejt e shpejt.

Fitorja

As e pritnim, por as e kishim menduar njëkohësisht, se ndeshja e së shtunës Teuta-Shoqata Tirana Basket, do të intrigohej deri në fund, duke marrë përmasat e një dyluftimi dramatik dhe tejet emocionues. Djemtë e rinj të Teutës, ku më i “vjetri” dukej 24 vjeçari Ervin Berberi, u rritën moralisht dhe vendosën të jepnin zemrën në fushë.

Kjo edhe për faktin e thjeshtë, që t’u tregonin “ikanakëve” të tyre, që deri dje ndanin ëndrrat me ta, se ata mbeten njëlloj të fortë, të freskët dhe të gatshëm për të bërë të pamundurën. Dhe kronika rrodhi aq interesante, sa që befasia u bashkua me padurimin për të pritur një surprizë aq të kërkuar dhe të lakmuar, në këtë fletë të parë të bllokut të ngjeshur të kampionatit. Ervin Berberi, Bledar Dodaj, Ilmi Pasha, Klajdi Domi dhe Denis Veselagu, për syrin e durrsakëve paraqiteshin si pesëshja e parë e ekipit kombëtar, pasi fluturonin mbi kosh e shënonin pikë pas pikë, duke e sjellë lojën deri tek shpresat e fitores.

Kur padurimi kishte arritur kulmin e sekondat dukeshin si minuta, kur Dodaj kishte lënë fushën e lojës shansi u var tek duart e brishta të të riut Klodian Pergjokajt. Shënoi disa gjuajtje të lira dhe i dha shokëve ushqimin e pasionit të tij. Dhe në fund rezultati. Teuta 71 dhe rivalja e saj Shoqata Tirana Basket 68. “Ikanakët” tani u bënë të tillë, pasi shokët e tyre i bënë të largoheshin kokëulur nga “Ramazan Njala”, kur së bashku për disa muaj piketuan pikërisht këtë nisje të kampionatit.

Teuta përbëhet edhe nga të rinjtë fringo si Luxhino Shehu, Elert Balla, Andi Salaj dhe Elton Shehu. Një fitore e bukur dhe tejet e veçantë. Në këto kushte të duket sikur djemtë arritën të merrnin katër pikë njëherazi, 2 për fitoren e drejtpërdrejtë dhe 2 të tjera për moralin dhe kurajon e treguar. Kjo Teutë kështu me djemtë e bindur të saj dhe me një Mëngjes në krye të tyre, sigurisht do të gatitë të tjera mëngjese po kaq mbresëlënëse dhe joshëse, të denja për traditën e pashlyer të basketbollit të djemve të Durrësit.