Pas Tiranës, Partizanit dhe Goga Basket, skuadra e katërt që shkon në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë është Teuta, pasi kjo e fundit ka mundur Vllazninë në një sfidë të luftuar deri në pikët e fundit, që u mbyll me rezultatin 88-83. 

Ndeshja u zhvillua të dielën për shkak të pjesëmarrjes së ekipit durrsak në Ligën Ballkanike, por ngarkesa e kalendarit të tyre nuk i privojë për të qenë kompetitivë dhe për të marrë këtë fitore me meritë ndaj një kundërshtari të fortë si Vllaznia në çerekfinale. 

Një ndeshje spektakolare, me surpriza dhe përmbysje. Vllaznia e nisi vrullshëm duke u treguar më e saktë në kapjet e topave në tabelë dhe duke mbajtur një diferencë të konsiderueshme në periodën e parë, 19-30.

Por djemtë e detit, “u zgjuan” në të dytën, ku kaluan në avantazh me një diferencë prej 2 pikësh. Perioda e tretë solli një lojë me rivalitet të lartë, ku të dy ekipet luftonin për një vend në gjysmëfinale, por Teuta u tregua më e saktë dhe e mbylli në shifrat 66-57. 

Ndërsa perioda e fundit vulosi gjithçka, Teuta mori komandën e lojës duke arritur edhe diferencën për 18 pikësh, por Vllaznia arrin të ngushtojë rezultatin falë tre gjuajtjeve për trepikësh. Kjo ishte perioda që duke u mbyllur në shifrat 88-83, i dha Teutës biletën për në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.