Ndeshja mes Teutës dhe Besëlidhjes, e vlefshme për ditën e pestë në Grupin A të Ligës Unike, e zhvilluar në Durrës, ka dhuruar emocione të forta nga sekonda e parë deri në sirenën finale. Lezhjanët siguruan fitoren e tretë në grup, por ndryshe nga takimet e tjera të këtij sezoni, skuadra e Afrim Bilalit rrezikoi shumë që të pësonte ndalesën e parë. Kjo për meritë të Teutës, me durrsakët që u shfaqën të organizuar mjaft mirë tashmë me ardhjen në pankinë të teknikut malazez, Nikola Milatoviç.
Megjithatë, në fund ata që festuan ishin lezhjanët, të cilët morën një fitore me peshë 84-85 në pallatin e sportit “Ramazan Njala”, duke hedhur një hap të madh drejt kualifikimit për në fazën finale të kompeticionit mbarëkombëtar të basketbollit. Takimi nisi me ritëm të mirë në sulm nga të dyja kampet, ndërsa durrsakët shpërthyen në çastet e fundit, duke e marrë periodën e parë 30-26.
Teuta e çoi deri në 11 pikë avantazhin në fillim të periodës së dytë, por Besëlidhja rikuperoi, teksa e fitoi 10- minutëshin 19-22, ndërsa ekipet shkuan në pushimin e madh me avantazhin minimal të vendësve, 49-48. Perioda e tretë ishte më efikasitet më të ulët në sulm, megjithatë miqtë bënë më mirë, duke fituar 13- 15, për të kryesuar 62-63 pas 30 minutash lojë.
Perioda e katërt ishte një luftë nervash, me Teutën që fillimisht kaloi përpara, por lezhjanët reaguan, ndërkohë që 49 sekonda nga fundi rezultati shënonte barazim 84-84. Koshin vendimtar për Besëlidhjen e shënoi amerikani Weekes, i cili realizoi saktë një nga dy gjuajtjet e lira, 28 sekonda nga sirena finale, ndërsa rezultati nuk do të ndryshonte më. Kështu takimi mbyllet me festë për Besëlidhjen, që vijon të njohë vetëm fitore, edhe pse këtë herë suksesi ishte shumë më i vështirë.
Kjo ishte fitorja e tretë në po kaq ndeshje për lezhjanët, të cilët janë të parët në grup, ndërsa Teuta mbetet e fundit me 3 humbje. Duke kaluar në paraqitjet individuale, Julian Hamati u shpall si lojtari i ndeshjes, me 19 pikë, 10 kërcime dhe 6 asistime. Për durrsakët nuk mjaftoi Powell, autor i 27 pikëve dhe 10 kërcimeve.