Besëlidhja është kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj për sezonin 2024- 2025. Ashtu sikurse pritej, lezhjanët i mbyllëm llogaritë me 3 ndeshje në finalet “play off” kundër Teutës, teksa fituan edhe raundin e tretë që u zhvillua në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Ky ishte titulli i dytë radhazi kampion për Besëlidhjen, i ardhur pas një tjetër sezoni të dominuar në çdo aspekt, me skuadrën lezhjane që kishte diferenca të mëdha me rivalët. Me fitimin e kampionatit, Besëlidhja e mbyll edicionin me tripletë trofesh, pasi më parë kishte fituar Superkupën dhe Kupën e Shqipërisë, për t’u konfirmuar si skuadër absolute. Për sa i përket serisë së finaleve, ato mund të konsiderohen ndoshta me diferencat më të mëdha prej disa dekadash mes dy ekipeve që luftojnë për trofeun.
Pasi kishte fituar me +64 pikë finalen e parë dhe me +52 finalen e dytë në Durrës, Besëlidhja e mundi Teutën edhe në finalen e tretë, duke e shkatërruar me +70 pikë avantazh. Lezhjanët fituan me rezultatin 134-64 në një takim që nuk kishte histori përballë skuadrës durrsake që dukej e dorëzuar. Skuadra e drejtuar nga Afrim Bilali shpërtheu që në periodën e parë në shifrat 35-20, ndërsa mori edhe të dytën 31-16, duke shkuar në pushimin mes dy pjesëve me avantazhin e përgjithshëm 66- 36. Ekipi verior nuk e uli ritmin as në gjysmën e dytë, përballë një Teute të pafuqishme dhe të shthurur tërësisht. Kështu Besëlidhja i merr edhe dy periodat e radhës 42-16 dhe 26-12, për të fiksuar rezultatin 134-63, një rezultat i pazakontë për një ndeshje finale.
Plot 85 pikë erdhën nga pankina për Besëlidhjen, ndërsa Marvin Prodani me 31 pikë e 10 asistime dhe Vinsent Grazhdani me 16 pikë e po kaq kërcime patën rendimentin më të lartë. Në fund ishte radha për festën e merituar të Besëlidhjes, teksa presidenti i FSHB-së, Avni Ponari, i dorëzoi trofeun kapitenit Julian Hamati. Ndërkohë, çmimin MVP të finaleve e fitoi Vinsent Grazhdani, i cili spikati me paraqitjen e tij në “play off”. Kështu, basketbolli i meshkujve mbyll një sezon nën shenjën e Besëlidhjes, një skuadër e ndërtuar për të fituar, me një bosht shumë të mirë lojtarësh vendorë dhe më të huaj kualitativë, të harmonizuar më së miri në parket nga trajneri Bilali. Një ekip më mbështetje të fuqishme nga Bashkia Lezhë dhe nga presidenti Ylli Ujka, ndërsa e vetmja notë negative mbetet mungesa e pallatit të sportit, me lezhjanët që i luajnë ndeshjet në Tiranë.