Skuadra e Teutës në basketboll për meshkuj, pas 4 fitoresh radhazi në Ligën Ballkanike është mundur 90-62 nga skuadra maqedonase e Blokotehna. Ndeshja e luajtur në Gevgelija është dominuar dhe fituar me meritë nga skuadra maqedonase, që falë këtij suksesi hyn në garë për një vend në play off.

Aty ku prej dy javësh ka siguruar një biletë Teuta, e cila pavarësisht humbjes është kualifikuar matematikisht për në “final four”. Ndaj, sfida dhe humbja e sotme nuk prish shumë punë për durrasakët. Teuta, fituese pak ditë më parë e Kupës së Shqipërisë, u duk që në fillim të ndeshjes se nuk e kishte shumë mendjen te ndeshja.

Skuadra maqedonase përfiton nga një rival pa shumë nerv dhe grintë, duke udhëhequr 21-14 në periodën e parë, diferencë që thellohet edhe më shumë me kalimin e kohës. Pjesa e parë u mbyll 51-24 për Blokotehna, duke vulosur praktikisht para kohe fitoren e ekipit maqedonas. Kjo konfirmohet edhe në 20 minutat e dyta, ku është sërish ekipi vendës që luan më mirë, ka komandën e lojës dhe vijon të thellojë shifrat.

Teuta duket e dorëzuar prej kohësh dhe thjesht mbyll një ndeshje që e nisi ndoshta sa për të kaluar radhën.Blokotehna fiton pa shumë mund 90-62, ndërsa për Teutën kjo është humbja e katërt në Ligën Ballkanike, ku numëron edhe 7 fitore. Durrsakët ngjiten në krye të renditjes me 18 pikë bashkë me dy ekipe të tjera, ndërkohë që kanë edhe një ndeshje të fundit, më 5 mars në Durrës, ndaj bullgarëve të Beroe.