Teuta ka mundur 95-81 Goga Basket në “Feti Borova” dhe është shpallur fituese e Kupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj, duke mbrojtur kështu trofeun fituar një vit më parë. Një triumf i merituar i ekipit durrsak, që që arriti të mposhtë Gogën vetëm falë një loje më të mirë në pjesën e dytë. Edhe pse ndeshja e dy skuadrave të Durrësit u luajt në kryeqytet, tifozët në sallën e lojarëve me dorë ishin të shumtë, të cilët shijuan një lojë të bukur dhe emocionuese, duke konfirmuar pretendimet që dy ekipet kanë edhe për titullin kampion.

Ashtu sikurse pritej, sfida ishte interesante dhe e hapur, pasi të dyja skuadrat dueluan deri në fund për fitoren. Një ndeshje e ekuilibruar në 20 minutata e para, ashtu sikurse edhe rezultatin (50-50). Ndërsa në 20 minutat e dyta erdhi shkëputja e “djemve të detit”, që po kalojnë një moment të shkëlqyer. Teuta, pasi siguroi javën e kaluar një vend në “final four” të Ligës Ballkanike tani shijon edhe trofeun e parë sezonal.

Gjithsesi, Goga Basket tregoi se është një rivale e fortë dhe e denjë për titullin kampion. Ndeshja është mjaft e bukur dhe tërheqëse, madje që në minutat e para skuadrat dhurojnë spektakël në fushë dhe mjaft pikë. Ekipet rivalizojnë gjatë gjithë kohës dhe luhet fort si nën tabelë ashtu dhe në mesin e fushës. Goga Basket ka një epërsi të lehtë në mbyllje të periodës së parë, ku udhëheq 30-26, por ekuilibri rikthehet në çerekun e dytë. Teuta nuk dorëzohet dhe arrin të rikuperojë në 10-minutëshin e dytë, duke ekuilibruar shifrat. Pjesa e parë mbyllet në barazim 50-50 duke lënë të hapur sfidën.

Në çerekun e tretë vuloset fati i takimit, pasi skuadra e Teutës është më e kujdessshme dhe arrin të krijojë një epërsi të konsiderueshme prej 12 pikës, 69-57, duke përfituar edhe nga gabimet e nervozizmi i kundërshtarit. Në 10-minutëshin e fundit Goga Basket tenton të rihapë ndeshjen, duke ngushtuar disi shifrat, por pa sukses. Teuta administron mirë dhe me kujdes avantazhin dhe fiton 95-81, duke festuar këtë trofe të parë sezonal me fansat e shumtë në pallatin e sportit.