Në pallatin e sportit “Asllan Rusi” u luajt finalja e parë e Play Off-it të meshkujve në basketboll mes Tiranës dhe Teutës. Mes tensionit dhe rivalitetit që ndeshjet finale mbajnë, nisi edhe kjo përballje mes kryeqytetasëve dhe djemve të detit.

Ndryshe nga çfarë pritej Teuta bëri surprizën duke fituar ndeshjen me rezultatin e ngushtë 73-76. Perioda e parë ishte në favor të vendasve të cilët filluan vrullshëm lojën duke i lënë durrsakët me 3 pikë deri në pikën e 11-të. Tirana luftarake dhe me sigurinë që të fal ndeshja në shtëpi arriti të udhëheqë periodën e parë në shifrat 19-14.

Me fillimin e periodës së dytë erdhi fuqizimi i Teutës të cilët po ngushtonin rezultatet derisa arritën barazimin në pikën e 25, e cila mund të konsiderohet si pika e kthesës për ekipin durrsak. Nga ky moment loja filloj të bëhej interesante ku rivaliteti mes dy ekipeve po shkonte “kokë më kokë”, tensioni solli edhe numrin e lartë të faulleve nga të dy ekipet. Edhe kjo periodë u mbyll në avantazh të Tiranës 38-36.

Perioda e tretë filloi dhe u mbyll në avantazh të “djemve të detit” me një diferencë prej 10 pikësh. Perioda e katërt rriti emocionin, rivalitetin dhe solli një Tiranë me kërkuese ndaj fitores deri në sekondat e fundit. Arriti të barazonte rezultatin në pikën e 67, më pas ishte Teuta ajo që duhej të barazonte në pikën e 70. Shpresa e ekipit durrsak edhe në këtë përballje u mbajt në sekondat e fundit ku mori fitoren e vështirë në shtëpinë e Tiranës, me rezultat 73-76.