Teuta në basketboll për meshkuj ka fituar mbrëmjen e sotme 79-70 ndaj maqedonasve të Kozuv, ndeshje e vlefshme për Ligën Ballkanike. Sfida e luajtur në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit ka qenë dramatike në fundin e saj, por fitorja e skuadrës durrsake ka qenë e merituar, pasi e ka dominuar këtë sfidë në shumicën e kohës. Kjo edhe për meritë të tifozerisë, që mbështeti vazhdimisht ekipin, ndërkohë që debutoi edhe një nga dy basketbollistët e afruar gjatë ditëve të fundi. Miqtë nga Gevgelija kanë udhëhequr vetëm për pak sekonda në periodën e katërt, por kaq ka qenë e pamjaftueshme për të përmbysur një ndeshje ku ishin gjithnjë në ndjekje. Për Teutën ky është suksesi i shtatë në Ligën Ballkanike, ku ka edhe 3 humbje, duke siguruar matematikisht një vend në "final four".

Pas këtij triumfi, i katërti radhazi për “djemtë e detit” në këtë turne, Teuta ngjitet në kuotën e 17 pikëve, duke udhëhequr provizorisht këtë turne, në pritje të rezultateve të ekipeve të tjera (sfida e radhës për Teutën më 6 shkurt, ndaj Blokotehna).

Ndeshja ka qenë në shumicën e kohës nën komandën e Teutës, që krijon një avantazh të lehtë që në periodën e parë, ku udhëheq 24-19. Kjo epërsi nuk do të ndryshojë as në çerekun e dytë, me basketbollistët durrsakë që kanë vazhdimisht kontrollin e lojës, madje shkëputen 41-34 në përfundim të 20 minutave të para. Pavarësisht kësaj, miqtë nuk dorëzohen dhe në 10-minutëshin e tretë rihapin ndeshjen.

Maqedonasit luajnë më mirë në periodën e tretë, duke ngushtuar disi shifrat, periodë që mbyllet 61-56 për Teutën, e cila vuan ndjeshëm presionin e miqve në 10-minutëshin e fundit. Kozuv reagon dhe barazon për herë të parë shifrat 61-61 dhe nga ky moment e deri në fund loja bëhet dramatike. Gjithsesi, falë Wilson (20 pikë), Hysenagollit (16 pikë e 13 rebound) e Laskut (10 pikë), ekipi durrsak arrin të shkëputet sërish në minutën e fundit, duke triumfuar 79-70.