Pas 3 humbjeve radhazi, skuadra e Teutës ka rigjetur buzëqeshjen në Ligën Ballkanike (BIBL), duke mundur me rezultatin e ngushtë 73-71 rivalët nga Kazakistani të Barsy Atyray. Ky është suksesi i katërt i ekipit durrsak në Ligën Ballkanike, që ngjitet në vendin e dytë në renditjen proviziore. Një start i mbarë i vitit 2019 për ekipin durrsak, që pretendon edhe titullin në Superligën shqiptare.

Ndeshja e luajtur në “Ramazan Njala” të Durrësit ishte mjaft dramatike në minutat e fundit, ku të dyja skuadrat e kërkuan fitoren. Miqtë nga Kazakistani shpërdoruan një avantazh prej 10 pikësh që kishin në fillimin e periodës së katërt, duke mos përballuar dot përmbysjen e Teutës, që falë mbështetjes edhe të tifozëve rigjen fitoren në këtë event rajonal.

Ndeshja është me shumë luhatje nga të dyja ekipet, me Teutën që dominon lojën në periodën e parë, duke udhëhequr 22-15. Por dy periodat e tjera janë më të mirë për miqtë nga Kazakistani, që luajnë shpejt dhe rikuperojnë shpejt. Pjesa e parë mbyllet 37-36 për Teutën, ndërsa në çerekun e tretë vjen përmbysja e skuadrës së Barsy Atyray, që udhëheq me shifrat 52-58.

Por mesi i periodës së katërt rikthen Teutën protagoniste, me durrsakët që rithehen në epërsi, por nga ai moment deri në fund loja është dramatike, ku herë udhëheq njëra skuadër e herë tjetra. Një kosh i Wilson (17 pikë), 19 sekonda nga fundi i jep fitoren Teutës, që triumfon 73-71. Për skuadrën kazake kjo është humbja e 4-t në po kaq ndeshje të luajtura, ndërkohë që dy ekipet do të luajnë po në Durrës, pas 4 ditësh, ndeshjen e kthimit (11 janar, ora 19:00).