Teuta e basketbollit të meshkujve ka shkarkuar nga detyra trajnerin Christos Kousidis. Klubi durrsak ka dalë me një komunikatë ku bën të ditur mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin grek.
“Shoqata Teuta Basket njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Christos Kousidis. Gjatë këtij sezoni, Kousidis ka dhënë kontributin e tij në drejtimin e ekipit. E falënderojmë për punën dhe përkushtimin e tij dhe i urojmë suksese në karrierën e tij të mëtejshme.
Në ditët në vijim, do të zyrtarizohet trajneri i ri që do të drejtojë ekipin tonë në sfidat e ardhshme”, shkruhet në një njoftimin zyrtar të ekipit bregdetar.
Ndonëse Teuta ka bërë një fazë të parë me rezultate të kënaqshme, duke u renditur në vend të dytë të Superligës, pas Besëlidhjes, duket se humbja në ndeshjen e fundit kundër Apolonisë nuk është kapërdirë lehtë nga durrsakët. Teuta u mund në shtëpi nga fierakët me rezultatin 82-83, ndërsa “faturën” për këtë disfatë e ka paguar trajneri Kousidis.