Kampionati kombëtar U-20 i basketbollit, një risi e futur këtë edicion nga FSHB-ja, po dhuron një garë interesante. Në radhët e djemve është Teuta, ekipi që po komandon, duke shënuar 11 fitore në 12 takime të zhvilluara. Napoelon Llalla, trajner i të rinjve të Teutës, i cili mban emrin e gjyshit të tij, të një figure të shquar të sportit durrsak dhe shqiptar, komenton sezonin e deritanishëm të skuadrës që drejton: “Normalisht jemi të kënaqur me ecurinë e ekipit gjatë këtij sezoni. Kemi zhvilluar 12 ndeshje, duke arritur 11 fitore. Pres që të vazhdojmë me këto ritme dhe nuk mendoj që do të ketë ndonjë ekip që mund të na hapë probleme, megjithatë basketbolli është i tillë që mund të ketë edhe surpriza.
Ndeshjen e radhës e kemi kundër Partizanit, që është skuadra e vendit të dytë, pra rivali ynë më i afërt, le të themi kundërshtari i drejtpërdrejtë. Ne e kemi mundur dy herë gjatë këtij sezoni Partizanin, por gjithsesi është një ndeshje e fortë, pasi edhe ata kanë një ecuri të mirë, ku përveç dy humbjeve ndaj nesh, të tjerat i kanë të gjitha fitore”. Trajneri i Teutës U-20 flet edhe për afrimin e fëmijëve dhe të rinjve me basketbollin në Durrës: “Çdo vit e më tepër basketbolli ka popullaritet në qytetin e Durrësit, kjo edhe falë rezultateve të mira që ka pasur ekipi i të rriturve gjithë këto vitet e fundit. Një ekip që ka luajtur në finale, ka fituar tituj, Kupa, Superkupa apo në vendin e dytë në Ligën Ballkanike.
Pra Teuta po e prezanton jashtëzakonisht mirë qytetin e Durrësit në basketboll, kështu që normalisht edhe interesimi i fëmijëve vjen dhe shtohet për këtë sport”. Më tej Llalla thotë se lojtarët e akademisë do të jenë e ardhmja e ekipit të parë, ndërsa vlerëson krijimin e kampionatit U-20: “Padyshim, lojtarët e skuadrës U-20 pritet që të jenë shtylla e Teutës për të rritur, sepse këta janë fëmijë apo lojtarë që kanë dalë po nga akademia e Teutës dhe pritet që të japin akoma më shumë. Kampionati U-20 është një plus i madh për këta lojtarë, sepse u mundësinë që të luajnë edhe një vit më shumë, me një nivel pak më të lartë se grupmosha U-18. Njëkohësisht, këta lojtarë, përveçse përmirësojnë aftësitë e tyre, pasi janë edhe më të rriturit, duke edhe një kontribut, qoftë edhe me pak minuta, luajnë rregullisht me moshat U-20.
Kështu që mendoj se krijimi i kampionatit U-20 është diçka shumë e mirë për basketbollin dhe që duhej bërë me kohë”. Në fund, Napoleon Llalla, ka folur për pritshmëritë dhe objektivat në këtë pjesë finale të sezonit: “Ne kemi një ecuri me fitore, por kjo nuk do të thotë që të na rritet mendja dhe të mendojmë që ka mbaruar gjithçka. Duhet të luftojmë deri në fund në çdo ndeshje, pasi gara është e hapur. Kemi bërë paraqitje të mira, por mendoj që sigurisht ka gjëra për të rregulluar, por shikoj që djemtë duan të punojnë, duan të mësojnë, nuk janë kurrsesi arrogantë apo mendjemëdhenj, pra kërkojnë gjithnjë të japin më të mirën dhe të përmirësohen”, përfundon prononcimin e tij trajneri i të rinjve të Teutës së basketbollit.