Jose Mourinho regjistroi fitoren më të thellë si trajner i Romës. Verdhekuqtë siguruan tri pikët e para në Serie A pas goleadës 7-0 ndaj Empolit. “Luajtëm mirë, por jo sa për të fituar kaq thellë. Ndodh të fitosh 7-0, por nuk është se luan për të fituar me këtë rezultat. Zhvilluam një ndeshje të mirë, por kishim ulje-ngritjet tona. Dallohet që në aspektin fizik kam disa lojtarë që nuk mund t’i përballojnë 90 minuta. Më vjen keq për Empolin, por ky është futbolli”, u shpreh tekniku portugez, i cili nuk kërkon të “fluturojë” pas këtij triumfi. Më pas një koment për Romelu Lukakun, i cili gjeti golin e parë si romanist.

“Nuk ishte i rëndësishëm goli i tij për mua, ndoshta për atë po. Mua më intereson skuadra, nuk ndryshon asgjë nëse shënon apo jo Romelu. Duhet të mësojmë të luajmë më mirë me të, edhe ai duhet të mësojë të luajë me ne. Pashë gjatë ndeshjes edhe gjëra që nuk më pëlqyen. E kam me skuadrën, jo Romelun. Kritikat e tifozëve të Interit ndaj Lukakut? Tek Interi duhet të jenë të lumtur për ish-trajnerin e tyre, i cili kishte nevojë për Lukakun. Pastaj ata fituan 5-1 derbin”. Në fund një thumbim në lidhje me kalendarin: “Kam vetëm 3 qendërmbrojtës për momentin. Më duhet edhe të menaxhoj lojtarë si Sanches dhe Dybala. Nuk kemi patur as fat. Luajmë të enjten dhe të dielën. Është dikush në Ligë që nuk është i dashuruar me mua… “, theksoi Mourinho.