Një çertifikatë e munguar martese, që rrezikon të shkatërrojë një çift që është bashkë prej 30 vitesh. Batuta, të qeshura dhe në fund mesazhi që dashuria triumfon pavarësisht tallazeve të jetës që kalon një çift.

Premiera e komedisë “Çertifikata e martesës” në Durrës u prit mjaft mirë nga publiku, kryesisht në moshë të re, që kishte mbushur plot e përplot sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

E shkruar nga dramaturgu izraelit Ephraim Kishon, komedia e Driada Dervishit dukej sikur i fliste publikut durrsak me personazhet dhe historitë familjare që  i përngjajnë atyre që shpesh dëgjojmë në rrethin shoqëror.

“Është në qendër një familje, që ne mund ta njohim e kemi shumë pranë, por njëkohësisht edhe personazhet dhe situatat na duken mjaft familjare dhe të ngjashme”,- thotë regjisorja Driada Dervishi.

“Jam i bindur që nuk do të mbetet artdashës durrsak që nuk do të gjejë dy – tre histori të jetës së vet në këtë shfaqje. Kjo komedi është “Pallati 176″ i Izraelit”,- thotë aktori Gentian Zenelaj.

Në kohët që po kalojmë, institucioni i martesës është në krizë, por sipas aktorit Gentian Zenelaj çdo situatë e vështirë kalohet në momentin kur ekziston dashuria mes çiftit.

“Kjo është shfaqja që duhet ta shikojnë çiftet që kanë probleme në martesën e tyre. Kjo është shfaqja ku dashuria triumfon dhe mbi të gjitha triumfon familja, kjo celulë kaq e fortë e shoqërisë.”

Të vlerësuara në festivalin teatror “Apollon” me çmimet “Aktorja më e mirë protagoniste” dhe “Aktorja më e mirë jo protagoniste”, për Olta Dakun dhe Mimoza Marjanakun kjo premierë në Durrës mbart emocione të veçanta.

“Për mua të jem në këtë skenë është sikur të jem në shtëpi. Kam pasur një eksperiencë të jashtëzakonshme me “Shirli Valentinën” dhe jam shumë e lumtur që jam prapë këtu”,– thotë aktorja Daku.

Si në çdo komedi, pas mosmarrëveshjeve dhe problematikave, dashuria në fund triumfon. Duartrokitjet e ngrohta të publikut në sallë janë një ogur i mirë që edhe për 4 netë të tjera komedia “Çertifikata e martesës” do të pritet mjaft mirë nga artdashësit.

M.B.